Friday, March 13, 2026
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Fati qenka qelq kristal

Pajtim Xhelo-Fati qenka qelq kristal

Fati qenka qelq kristal

Miku im! Fati qenka një qelq kristal,
Duhet kujdes, shpesh kthehet në thyerinë,
Të ngjit në Everest, o në tjetër mal,
Po dhe të shtyn , të rrokullis në pjerrinë.


Sa tekanjoz, inatçor dhe mëndjelli,
Zoti ta fal, djalli e josh, e gënjen,
Mendon që e mban në dorë a në gji,
Ikën papritur dhe kurrë nuk e gjen.


Nuk e sheh, nuk e dëgjon, se nuk të flet,
Të thonë : ” Je me fat” o ” Fati s’të do”,
Nis e fishkëllen, a vihesh në siklet,
Veç e ke kot, mos e thirr, mos e kërko.


Shpesh që fëmijë varfërinë ka shok,
Ndonjëherë hyjnor, plot yje në qiell,
Përbaltur rrugëton me trishtimin tok,
O zgjohet dhe këndon si sythi nën diell

.
Medet,! Kur lindim të gjithë kemi qarë,
Në këtë botë ne erdhëm pa dëshirë,
Dikush na ka sjellë, tjetër do na marrë,
Ndërsa fati mbetet fshehur n’errësirë.


Miku im, të kam dëgjuar qindra herë,
Shpirtvrarë , Zotit fatin i ke kërkuar,
Si ti në botë dhe mijëra të tjerë…
Mos Zoti të gjithëve ju ka harruar?


O njerëz, fati lind me ne, ësht’aty,
Veç duhet kujdes, ngjan me një qelq kristal,
Askush nuk e prek , as nuk e sheh me sy,
E thyen, o ta rrëmben njeriudjall.


Po lodhet koha, në muzgje ngryset jeta,
As nëpër mjegull fatin s’e pa njeri,
Zbret në pjerrina, na ngjit në të përpjeta,
Kur mendon e mban në dorë a në gji.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT