Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e banesa janë shndërruar në një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët, që përveç pasigurisë, po shkaktojnë edhe humbje të mëdha. Shumë herë familjet që janë cak i hajnave dyshojnë edhe te personat e afërt, ose te ata që kujdesen për shtëpitë e tyre. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe në Prizren, ku një banor i fshatit Kushnin në Has, ka raportuar se i janë vjedhur mijëra euro e stoli ari, raporton Gazeta Sinjali.
Por ky rast është jo fort i zakontë. Këtë herë paratë e ari nuk u vodhën në shtëpi, por u gjetën të groposura. Kjo pasi që kryefamiljari kishte vendosur që t’i fsheh në oborr hiç më pak se 26 mijë euro dhe disa stoli të arit, të cilat i kishte futur në kavanoza.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast ishte denoncuar në Polici para disa ditësh, nga viktima, i cili ka rrëfyer se si i groposi paratë dhe stolitë dhe më pas u kthye në Bosnjë e Hercegovinë, ku e ka gjithë familjen. Pasi ishte kthyer, ai gjeti vetëm njërën nga kavanozat e mbushur me ari, çka e shtyu ta denoncojë rastin.
