Monday, December 29, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-Kur bie shi…

Rudina Muharremi Beja-Kur bie shi…

Kur bie shi…

Mbi shpinën e reve udhëton trishtimi
vizatohet mureve, xhamave, fasadave
pasqyrave të shpirtit, gjoksit që shtrëngon
e lotit që tinëz, zbret faqeve


Heshtjeve murnajë, ditëve njësoj
Njeriu kur harroi se ç’ është gëzimi
Kur në vend të gjakut, dejeve rrjedh akull
Në vend të drithërave, arave kur mbin pelini


Rrëzoj vështrimin asfaltit të lagur
tek ngjyrat vdesin, tek ëndrrat treten
Këpucët e lodhura, zbath me ngadalë
Me shpresën se gjurmët e mia do mbeten


Ah ky qytet, që vdes çdo ditë në heshtje
Bota po vdes për një përqafim
Bukën ngjyer me përgjakje zemre
zgavrës së kraharorit trishtimi oshëtin


E di, kur bie shi, nuk duhet të shkruaj
As qiellit të kërkoj hënën apo yje
Zogj pendëshkruar, cicërima të dëgjoj
Apo flutura të hutuara nëpër pyje


Më duhet të pres të nisë një fllad i lehtë
Mërzinë ta dëbojë qiejve pa skaj
Një ylber të zbresë atje matanë sinorëve
një ëndërr, të më sjellë paskëtaj…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT