Shkruan Kumrie Avdyl Shala
Në Dukagjinin e Shkodrës, konkretisht në Shalë, më 03 tetor 2026 do të mbahet një manifestim tradicional, “Dita e Rinisë së Dukagjinit”, me organizator kryesor Kolë Gjoni , së bashku me këshillin organizativ: Roza Mhill Pjetri , Mhill Shkambin, Agron Hasani, Viola Shqau dhe Dukate Bregun.
Pika e organizimit do të jetë restoranti “Vendi i Gjyshit”, i Kolë Gjonit, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme të këtij manifestimi. Në këtë ditë do të kemi mundësi të eksplorojmë edhe bukuritë natyrore të kësaj zone të virgjër, ndërsa do të shijojmë edhe ushqimet tradicionale të trevave të Thethit, Shalës dhe Shoshit si dhe do këtë kengë e vallë për rininë Dukagjinas.
Jam e nderuar dhe njëkohësisht shumë e lumtur që jam e ftuar në këtë manifestim të veçantë
(pasi që jamë pinjolle e Marash Palit te 7 shaljanve), kushtuar rinisë së Dukagjinit.
Ky manifestim po dëshmon qartë se Dukagjinasit kanë ditur të jenë bashkë në çdo kohë: në luftë e në paqe, në gëzim e në vështirësi.
Këtë iniciativë të rëndësishme e mori kolë Gjoni, së bashku me këshillin organizativ. Kola është një shoshjan që me përkushtim dhe dashuri mbron trojet e babait, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij. Është një djalë i ri që i çmon dhe i mbron vlerat, traditat dhe zakonet dukagjinase.
Me dashamirësi për këtë manifestim, ai ka vënë në dispozicion edhe restorantin e tij, duke dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk mbetet vetëm në fjalë, por shndërrohet në vepër.
Sikur kjo zonë të kishte shumë djem si Kola, Dukagjini do të ishte një nga vendet më të frekuentuara nga njerëz të ardhur nga shumë vende të botës. Kjo do të sillte zhvillim dhe përfitime jo vetëm për Dukagjinin, por për gjithë Shqipërinë.
Por, për fat të keq, kjo zonë ndër vite ka mbetur në mëshirën e fatit dhe të vetë Dukagjinasve.
Dukagjini është aset kombëtar, pasuri e çmuar dhe një burim i pashtershëm për turizmin shqiptar. Është krenari shqiptare, me vlera të mëdha historike, kombëtare e patriotike.
Kjo është një tokë që është mbrojtur me nder, e me fanagozem brez pas brezi. Një tokë ku kujtesa e të parëve është ende e gjallë dhe ku dashuria për vendin nuk matet me fjalë, por me sakrificë, përkushtim dhe besnikëri.
Unë ndihem e nderuar që mora ftesën për të marrë pjesë në këtë eveniment. Për mua është një nder dhe kënaqësi e veçantë, sepse edhe një herë po dëshmohet se gjaku nuk është ujë.
Të ftohesh në një manifestim kaq të rëndësishëm dhe madhështor është një gëzim i papërshkrueshëm. Një manifestim i organizuar për rininë e Dukagjinit, që të mblidhen së bashku, të njihen, të afrohen, të mos i harrojnë njëri-tjetrin, dhe të mos i anashkalojnë traditat e gjyshërve dhe baballarëve tanë.
Kjo është një vlerë kombëtare.
Është jetike që këto tradita të vazhdojnë të jetojnë edhe te brezat e ri dukagjinas. Sepse kjo festë nuk është vetëm një ditë argëtimi; është një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen.
Sot kemi nevojë më shumë se kurrë të bashkohemi e jo të përçahemi.
Me këtë nismë, Kolë Gjoni ka treguar se ende ka djem, burra e vajza që ia duan të mirën Dukagjinit dhe gjithë shqiptarisë.
Hajrati i të parëve duhet të ruhet me nder e krenari. Traditat nuk duhet të harrohen. Duhet ta mbajmë gjallë lidhjen mes vëllezërve dhe motrave tona që janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës.
Edhe pse jemi të shpërndarë e të ndarë, andej e këndej kufijve, pas shumë vitesh, bashkimi mbetet një nga vlerat më të mëdha njerëzore.
E dimë shumë mirë se sistemet komuniste e shoviniste na ndanë padrejtësisht fizikisht, por mendjen, shpirtin, zemrën dhe dashurinë për trojet shqiptare nuk patën mundësi të na i ndanin kurrë.
Këtë po e dëshmon edhe Kolë Gjoni, një shoshjan fisnik, patriot dhe i dashur për pinjollët e kësaj zone. Ai po tregon se duhet të bashkohemi nën një ombrellë të vetme, nën emrin e madh e krenar:
DUKAGJIN – I MALEVE, I SHKREPAVE DHE I BURRAVE KRESHNIKË.
Uroj që ky manifestim të përsëritet çdo vit në këto troje të lashta e historike.
Le të jetë kjo një traditë e re që na kujton kohët e moçme, kur të parët tanë qëndronin të bashkuar dhe nuk lejonin t’i ndante as krajli e as mbreti.
Me këtë nismë, Kola, së bashku me shoqërinë e tij, këshillin organizativ, po e çon më tej amanetin e të parëve tanë: amanetin e Besëlidhjes së Vegjëlisë Dukagjinase, e cila i dha krah të fortë Shqipërisë, me penë e me pushkë edhe ne kohra e moçme.
Kjo ide erdhi me kokë të ftohtë dhe me zemër të ngrohtë nga Kolë Gjoni,pamvarësishtë shpenzimëve, me qëllimin e pastër që të mos harrohen traditat, vlerat dhe besëlidhjet e këtyre trojeve.
Me këtë organizim, Kola, dhe këshilli organizativ po tregojnë pjekuri, përkushtim dhe një dashuri të madhe për atdheun për ketë zone dhe për rininë e Dukagjinit.
Le t’ua tregojmë të gjitha trevave se Dukagjinasit janë një dhe të pandarë, gjithmonë pranë njëri-tjetrit, e sidomos kur bëhet fjalë për trevat e Shalës, Shoshit e Mirditës- tre vëllezrit që tani kanë tri krahina, tri zona të pa thyeshme te fjalës dhe besës.
Sepse pa bashkim nuk mund të ecim përpara.
Dukagjini ka arsimim, traditë, burrëri, humanizëm, guxim dhe patriotizëm. Ka njerëz që e duan tokën e të parëve dhe që janë të gatshëm ta mbajnë gjallë kujtesën, kulturën dhe traditat e saj.
Prandaj, le të bashkohemi!
Le t’i mësojmë brezat e rinj të duan rrënjët e tyre, të respektojnë të parët dhe ta ruajnë me krenari atë që na është lënë amanet.
Sepse një popull që i ruan rrënjët, nuk e humb kurrë rrugën drejt së ardhmes..

