Friday, October 18, 2024
BallinaVitrina e libritZËRI I VENDLINDJES DHE VARRET I ZGJON

ZËRI I VENDLINDJES DHE VARRET I ZGJON

Nga Rudi Berisha, redaktor

Një vëllim i bukur me poezi, i titulluar “Malli i patretur”, vjen tek lexuesit e të gjitha trojeve shqiptare dhe tek mërgata jonë nga autorja Luçia Marku e cila shumë vite jeton dhe vepron në mërgim. Autorja Marku, i këndon me pasion dhe dashuri atdheut, vendlindjes së saj të munguar, i shkruan dhimbjeve me shkronja të gjuhës sonë shqipe. Mirëpo, shkronjat herë i zhyt në lot, herë në dhimbje, por ka dhe disa raste kur vargjet i ngjyen në gjakun e trupit, vetëm e vetëm që fjalët dhe melodia e vargjeve të marrin formën e duhur dhe të jenë kuptimplote. Gjithashtu, të jenë të lidhura me oxhakun e Prishtinës dhe me zjarrin e Tiranës, të jenë të lidhura me atdheun e të gjithë shqiptarëve, me Shqipërinë. Autorja në vargje ligjëron: Zëri i vendlindjes dhe varret i zgjon Ejani bijë e bija në prehrin e nënës Se dhéu i huaj më nuk ju do Në oxhakun e Prishtinës ngrohë zjarri i Tiranës. Në këtë varg të ligjëruar më lartë mund të kuptojmë që bëhet një thirrje që t’i kthehemi atdheut, vendit ku nëna na ka lindur, se toka e huaj për ne shqiptarët do të mbetet përherë e huaj dhe duke na e bërë me dije të theksuar, se atdheu na do, që ne bijtë dhe bijat e këtij vendi të qëndrojmë përjetësisht këtu të gjallë dhe pas vdekjes sonë eshtrat t’i kemi në këtë dhé. Autorja Marku na fton, siç ajo thotë “Në festën e madhe” dhe bën thirrje të jemi bashkë si në kohët e lashta. Autorja në vargje ligjëron: Bashkë në një llogore E bashkë në Festë të Madhe Si princesha të vjetra Rreth Teutës së lashtë Shqipja e flamurit iu prinë në valle Në dasmën e lirisë krushkë i parë kush është? Në faqet në vazhdim të librit na radhitet dhe mesazhi nëpërmes vargjeve që i këndohet Dardanisë, po ashtu dhe Shqipërisë, ku njëra (Dardania) mbeti e ndarë padrejtësisht, kurse tjetra (Shqipëria) ka mbetur e copëtuar prej kohësh. Në këto vargje autorja Marku flet për gjakun, për emrat e ngritur në përmendore, për lindjet të përkundur në djepa, për flamurin e përgjakur kuq e zi. Autorja në vargje ligjëron: Me palë të flamurit i kam lidhur plagët Barot ma kthejnë lotin gjëmimet dhe flakët Ibri e Drini i Bardhë m’i ujisin kreshtat Bora e gjelbërimi m’i përkundin djepat. Po ashtu autorja Luçia Marku, bukur i shkruan dhe flamurit kombëtar, flamurit kuq e zi. Flamuri kombëtar ku në të gjitha betejat, luftërat shqiptare si nga Vlora e ashtu dhe në Prishtinë ka qenë flamuri ai që ka lidhë me Besa-Besë afër vetes burra dhe gra që kanë luftuar për liri dhe e kanë ngritur flamurin kuq e zi në Vlorë dhe me çlirimin e Kosovës në Prishtinë. Autorja në vargje ligjëron: Nga Kosova e gjer në Vlorë Me lulëkuqe ngjyrë t’flamurit Po me këto thurim kurorë Ku peshon dhe fjala e burrit. Tek vargjet “Më fal Atdhe”, autorja Marku, sikur e krahason atdheun dhe shenjtërinë e Biblës së shenjtë. Meqenëse autorja prej vitesh është një mërgimtare, jeton larg vendit ku është lindur, vendit Shqipëri, për këtë arsye edhe i kërkon falje tokës sonë shqiptare, Shqipërisë që është larguar dhe është duke jetuar në dhé të thuaj. Autorja në vargje ligjëron: Më fal atdhe që ta ktheva shpinën Dhe ika rrugëve pa fund të mërgimit Ty të desha shenjtërisht si Biblën Por se durova dot flamën e poshtërimit. Por autorja shkon dhe përtej kësaj, duke shkuar përmes vargjeve edhe në dëshpërim, duke qenë e revoltuar dhe e mërzitur, duke bërë dhe pyetje, duke iu përgjigjur atyre pyetjeve për ato ditë të vështira dhe të mbetura në kujtesën e autores. Nëse ëndrrat tua të vriten në atdhe, ëndrrat e tua nuk do t’i gjesh në dhéun e huaj, në rrugët e mërgimit. Autorja në vargje ligjëron: Se ëndrrat m’i vranë e dashurinë ma burgosën E me barkun bosh mes pluhurit të kohës eca Atdheun tim brenda “bllokut” të vet ma varrosën Në errësirë askush s’dinte si gëdhinte e nesërmja. Kudo që jetojnë shqiptarët e tretur nëpër botë, gjuha e tyre shqipe nuk ndryshon. Ajo mbetet në shpirtin dhe gjuhën e tyre, mbetet në zemër të çdo mërgimtari. Edhe tek poezia e titulluar “Jemi shqiptarë”, autorja Luçia Marku, i shkruan gjuhës dhe gjakut, e lidh njërën me tjetrën, sikur na jep një mesazh, se ai që ka gjak shqiptari, nuk e tjetërson gjuhën e tij shqipe, por e ruan dhe e kultivon atë. Autorja në vargje ligjëron: Sado larg nëpër botë Era e tyre nuk ndryshon Gjak shqiptari prapë kanë sot Gjuhën shqipe nuk e harrojnë. Autorja Luçia Marku, bukur i shkruan Shqipërisë, luftërave që kanë ndodhur në trojet tona, heronjve të dëshmuar gjatë historisë, sikurse Ismail Qemalit e dëshmorëve të kombit të Dardanisë, si Adem Jasharit, Abedin Rexhës-Sandokanit, po ashtu dhe për heroin që luftoi në Irak, Gentian Markut, i cili ishte djali i vetëm në shtëpi. Po ashtu në këtë vëllim poetik të shkruar me mjeshtëri e me një horizont të gjërë, të kthyer në stinët e vjeshtës e pranverës me petale lulesh, në ngrohtësi të diellit, me dashuri e për dashuri të nënës, të babait, motrës, mikes e herë herë duke i kërkuar falje dhe duke pranuar një gabim, duke na çuar mesazhe që mos të dorëzohemi për as një çmim, duke na porositur që ta duam flamurin kuq e zi, që ta duam gjuhën e bukur hyjnore shqipe dhe lartësojmë e të punojmë për Shqipëri. Autorja Marku, bukur i shkruan dhe dashurisë, mallit të patretur dhe atyre ditëve kur dashuria ishte e mbyllur në kafaz e gjembat qëndronin në zemra që po lidhnin me hekurat e pluhurosur të rrugëtimit për të realizuar atë dashuri. Ky vëllim poetik të dhuron një ndjesi të bukur, të dhuron edhe një pikëllim për atë se sa shumë bijtë e bijat tona kanë marrë udhët e kurbetit për të ruajtur qenien, në vend që është dashur të jenë këtu në atdhe, Shqipëri. Mirëpo, nga varfëria, nga përbuzja, një pjesë e madhe kanë ikur dhe sot jetojnë me plagë e dhimbje në zemër në dhé të huaj. Dhéu i huaj kurrë nuk do të jetë atdheu yt, por do të jetë një atdhe përjetësisht i huaj. Autores Luçia Marku, i dëshirojmë suksese dhe rrugëtim të mbarë për librin! Paqe dhe shëndet! Rudi Berisha, redaktor Dardani, 20 maj 2023

t

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT