Sunday, August 3, 2025
BallinaLajmeAmerikanët kërkojnë nga Kosova e Serbia t’i kthehen sa më shpejt zbatimit...

Amerikanët kërkojnë nga Kosova e Serbia t’i kthehen sa më shpejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Emisari amerikan, Gabriel Escobar ka kërkuar nga Kosova e Serbia që ti kthehen zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Escobar këtë kërkesë e bëri gjatë një takimi që kishte me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën Stabiliteti në Ballkan dhe paqja më e gjerë rajonale.

Në njoftimin për media nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thuhet se gjatë diskutimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Zëvendësndihmës Sekretari Escobar nënvizoi lidhjen e rrënjosur thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.

Ai më tej theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Zëvendësndihmës Sekretari Escobar theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do të zhbllokonte rritjen signifikante ekonomike për Kosovën dhe rajonin më të gjerë.

Këtë kërkesë e ka pasur sot edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Hovenier pas takimit që kishte me krerët e shtetit bashkë me dy senatorët amerikanë që vizituan Kosovën, ka thënë se se sulmi i 24 shtatorit nënvizon nevojën urgjente për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova dhe Serbia.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Hovenier theksoi se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës, të cilën e cilësoi të brishtë pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

“Situata e sigurisë mbetet diçka për të cilën jemi shumë të shqetësuar dhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë ndërmarrë hapa sepse ne ishim thellësisht të shqetësuar për atë që ndodhi në Banjskë dhe më gjerësisht për situatën e sigurisë në veri. Siç mund ta keni dëgjuar dje gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munch, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, bëri të ditur se nga 24 shtatori, NATO-ja ka trefishuar numrin e patrullimeve. Këshilli i Atlantikut të Veriut mori vendim për të rritur ndjeshëm numrin e forcave të KFOR-it. Ne e marrim këtë seriozisht. Situatën aktuale do ta karakterizoja si të brishtë, por të qetë apo më të qetë. Por ju e dini, ka një brishtësi dhe ne jemi shumë të përqendruar për të ndihmuar menaxhuar situatën dhe të përpiqemi të shmangim incidente të tjera që mund të çojnë në dhunë e që do të ndikonin, do të kërcënonin popullsinë civile atje, por edhe forcat e ligjshme të sigurisë atje, policinë e Kosovës dhe sigurisht edhe praninë ndërkombëtare”, ka deklaruar dje Hovenier.

Për mundësinë e kthimit në negociata, foli sot edhe kryeministri Kurti, teksa tha se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Kryeministri u shpreh se duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses.

“Përpjekjet e Serbisë për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje dhe sulme do të vazhdojnë. Njoftova po ashtu senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën këtë status quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses dhe besoj se është tepër e rëndësishme të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim ë Ohrit”, tha Kurti ndër të tjera.Gazeta Metro

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT