Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritIRMA KURTI - SHËTITJA E FUNDIT

IRMA KURTI – SHËTITJA E FUNDIT

Unë nuk e kuptoja pse atë ditë
kur të dyja po shëtisnim bashkë,
ti derdhje lot në heshtje Nënë
dhe nuk më thoshe asnjë fjalë.

Unë ndihesha më konfuze se ti,
të pyesja “pse qan?” qindra herë.
Vështrimi yt i ngulur në hapësirë,
dorën time shtrëngoje fare lehtë.

S’e dija: ishte shëtitja jonë e fundit,
ti e kuptoje, unë s’mundesha dot.
Me siguri për ne ti ndieje dhimbje,
rrugës për të ikur nga kjo botë.

Të vinte keq që s’do t’më shihje më,
s’do t’më prekje, apo puthje si tani,
s’do shkelje n’këto parqe të gjelbër,
s’do të të zgjonte më dielli në agim.

Ç’sinjale kishe marrë vallë nga larg,
mesazhe që dije t’i lexoje vetëm ti?
S’dojë të më trishtoje as atë çast,
po ikje nga unë pa një lamtumirë!

Sikur ta dija se ishte shëtitja e fundit
do të të shtrëngoja në krahët e mi,
nuk do të lija të qaje, t’më braktisje,
do shkrihesha me ty, do bëhesha një.

MARRË NGA LIBRI “PUTHJA E FUNDIT”, DUDAJ, 2007

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT