Friday, January 23, 2026
BallinaVitrina e libritShtatë perla poetike me vargjet e poetit të dhimbjes dhe dashurisë...

Shtatë perla poetike me vargjet e poetit të dhimbjes dhe dashurisë Syhejl Havolli 

SKAMNORI I VUAJTUR
Bukën e hante me lot në sy
Tek një shkretëtirë e diellit
Vuante në jetë
Si detar në bregun e detit


Me djersën e ballit fitonte bukën e gojës
Posi minatori që provon
Të dalë në dritën me diell


Jetonte në mjerim
Posi shpendi i lirë
Në kafazin e bilbilit të robëruar.

NË ÇDO VARG NJË NGJYRË E RE
Kërkon perla
Që shkëlqejnë në detin tim
Vdekja është lufta e jetës
Por jo fundi i saj


Dhimbja ngushëllohet në sytë
Qielli pasqyrë i pafund


Margaritari vazhdon kërkimin
Për të zbuluar fshehtësinë e së vërtetës
Në çdo varg
Në çdo hije
Gjen një ngjyrë të re
Ngjyrën e Blertë të shpirtit.

ETJE PËR DASHNI
Etje për dashni po
Për bukë jo


Në kopsht sillem si luledielli
Qëkur të putha buzëqeshjen
Rrugës më del hija jote përpara
Nga perëndimi deri në lindje


Hidhërimet do të qeshin
Për dashninë lindim sërish


Dashurojmë sërish
Përqafohemi sërish
Etje për dashni po
Për bukë jo
Për ty vdes i përmalluar.

PËR ENGJËLLUSHËN MELODI
Dejt më janë këputur
Si lulet që i shkulin
Për të bërë kurorë ngushëllimi


Në petale pikojnë vesë lotësh
Për vajzën time
Me pupël pëllumbi shkruaj
Nunullën e saj të parë


Gjethet më bëjnë hije
Përtej kopshtit
Së bashku me një lule
Me pika lot në faqe


Dhimbjen e përjetuar
E mbaj brenda zemrës së lënduar
Me mallin e pashuar.

YLL I PARË NË QIELL
Rrezet që thyhen nga dritaret
Marrin udhën e qiellit
Me qindra gjuhësh zjarri


Në dhomën time
Flas me portretin tënd
Sytë më mbushen lot


Le të jenë lot ujitje lulesh
Lëng freskimi
Për zemrën e zhuritur


Shpirti yt shkëlqen
Yll i parë në qiell

BUZËQESHJA ZGJAT JETËN
Kur pranvera troket në dritare
Shpirtin me shpirt e afron


Sa i bukur është dielli ynë
Që e lindi lulediellin
Me shtatin e lulës së blertë


Buzëqeshja zgjat jetën
Dhe ruan të pashuar
Yllin e rrugëtimeve me ty
Me buzëqeshje qiellore


Çdo rrugë shkela për ty
Në çdo pemë ta gdhenda emrin
Sikur zog t’shikoj me sy


Dashuria nën riga
Është e vetmja udhë
Për një qëllim
Për një frymëzim të njëjtë
Pranverë
Faleminderit për rastin që ma dhe.

NUK JAM FAJTOR
Nuk jam fajtor
Pse të dua
Unë ta zgjata dorën
Ti ma hape zemrën


Më lidhe fort përmjet
Fajtor nuk jam


Këtë të metë
E kemi të përbashkët
Deri në përjetësi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT