MUZGU
Nënë
pse këto pemë
të vrugëta
në lumë ujë i zi
udhët e mugëta
ky qiell i dergjur
pa zogj të blertë
kjo perde e verbët
në sy
muzg
nënës
muzg është
a s´ka pasur diell
kjo ditë
ah sa shpejt
nata
mbi ëndrrën time
po bie….
NANËS
Nënës ia hoqëm
vathët verdhë prej hëne
unazën e hollë si fije bari
edhe telat e flokëve prej kane
u bë frymë e lehtë
për fluturim në qiell
s´kemi për ta parë kurrë më
veç si kujtim
në çaste mërzie
e engjëll
në parajsë prej ëndrre
FOTOGRAFIA
Për faqen e parë
të një reviste mode
ashtu e bukur dhe krejt nudo
me flokët e lagura
e bulëza uji në gji
pozonte
para fotografit
e fotografia e saj
një skelet
me një vrimë plumbi në tëmth
Ishte faktografia pas 20 vjetësh
nga kamera më perfekte e kohës
me inteligjencë artificiale
FLUTURIM KOJRRILASH
Në atë qiell
fluturimi i juaj i hirtë
më bën në këtë qytet gur të gjallë
në udhë
më mbulon pikëllimi i mugët
si mulli i mbuluar me myshqe
bluaj mallin e kujtimit
për kallinjtë e pjekur të vendlindjes
lamtumira e juaj e beftë
thikë e ftohtë në frymëmarrjen time
CENGA
Shkëlqesi
ana jote e errët
është bërë cengë në vig
e vajtuar nga era
qielli i tyre i zi
derdh shi të vluar
këtë cengë e bënë
pelenë të përmjerrë
për t’i fshirë sytë e tyre të skuqur
nga gjaku i zi i zemrës së tyre
hije e zezë futë
ana jote e errët
Shkëlqesi
