Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritPoezi nga Qerim Ujkani

Poezi nga Qerim Ujkani

Sa bukur që po ndjej pranë teje
Që kam kaq pak dashuri të të dua

E do ta falja me katër zemra
Dashurinë e zogjëve që ia falin agimeve
Të ngjyera me purpurin e përgjakur

Edhe ngrohtësinë e shikimit të përmalluar
Që bukurinë gjurmon ndër buzëmbrëmje
Kur dielli konak kërkon pas bjeshkëve

Edhe freskinë flokëprishur të vërrinit
Që grish kalorës gjaknxehtë
Kur vapa rrit lulen e flakën në gur

Edhe dashurinë e duarëve të tërë botës
Që shtresojnë në lëkurë lule përkëdheljen
Për përshëndetje gëzimi dhe malli

Edhe kuqlimin e trëndafilit në agim
Që në aromë ia zgjat jetën kujtimit
Të fjetur nën hijen e syrit të qetë

Edhe heshtjen e barit në gufim të njomë
Që di vetëm një rrugë rrugën
Prej gjelbrimit deri te qarkullimi i gjakut

Edhe ato (pak) fjalë që mbolli dashuria
Në buzët e afshta për puthje të reja
E për ligjërime më të bukura se të zogjëve

Edhe dashuritë e padashuruara
Edhe këngët e pakënduara
Edhe pëshpëritjet e papërshpëritura

Ti qetësinë time e rritë në hektarët e bardhë
E nën hijen e qepallave
Mëkon poezinë më të bukur

Sa mirë sa bukur që po ndjej pranë teje
Se kam pak dashuri të të dashuroj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT