Ta ndjesh afërsinë
me tokën
si zjarri,
të mbahesh në degë
e në rrënjë,
në degë
e në trungun tënd!
Tokës t’ia shërosh
dhimbjet
me këmbë,
dashurinë
t’ia ruash pa e shkelur,
vuajtjet
t’ia lartësosh,
e t’i vendosësh mbi ballë,
sot dhe nesër,
nesër
e sa të jesh gjallë!
Ta ruash
afërsinë me tokën
si zjarri,
që zbret nga qielli
e shuhet mbi dhé,
siç shuhet njeriu
te varri,
që të përjetësohet
afërsia me tokën
ndër ne!
Një ëndërr e verbër
Një ëndërr m’u shua
padashur në dorë,
kujtimet e panumëruara
u tretën,
mbeti një copë vesë
në sytë e mi,
një copë vesë e ylbertë,
në shtatë ngjyra,
në shtatë shkallë,
në shtatë diej.
Në shtatë humnera
të rrathëve të ferrit
rrëzohen engjëj,
dhe yjet pikojnë…
Ngurtësohet shikimi
si breshër,
prej qiellit tim
tejpërtej….
Në shtatë ferre,
e në shtatë diej
përnjëherësh.
Një ëndërr e keqe
Në këtë planet e ka një shteg të vjetër,
hapat të çojnë në orbitë,
këtu njerëzit nuk e njohin njëri-tjetrin,
dhe ecin në rresht për një.
Të gjithë kapërcejnë një udhë të vjetër,
shtruar me kalldrëm të ri.
Ecin në rrugë të ngushta dhe të gjëra,
në bulevarde që zgjaten pa kufi,
ku shtohen njerëzit dhe pakësohen ëndrrat,
në rresht për një…
Gjurmë mbi gjurmë nga i çojnë këmbët,
mbi ballin e tyre ndalen orteqe,
çdo ag mëngjesi u kujton mbrëmjet,
prehje askund,
një ëndërr e keqe!
