Edon Zhegrova ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me shumicën e bashkëlojtarëve të tij te Juventus që nga transferimi, të cilët sapo janë kthyer nga angazhimet me kombëtaret e tyre.
Kthimi i tij në Serie A po afrohet me shpejtësi, ndërsa Bianconerët do të përballen me Interin në Derby d’Italia të shtunën, më 13 shtator, dhe më pas do të nisin aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve të martën në stadiumin Allianz.
Ekipi i Juventusit u mblodh sot në Qendrën e Stërvitjes nën drejtimin e trajnerit Igor Tudor për një seancë intensive përgatitore përpara ndeshjes madhore kundër Interit. Fokusi kryesor i stërvitjes ishte tek taktikat dhe puna atletike, duke u përqendruar në formacionin dhe lëvizjet për Derby d’Italia.
Zhegrova dhe bashkëlojtarët e rinj, përfshirë edhe sulmuesin belg Lois Openda, ishin për herë të parë të pranishëm në stërvitje së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.
Klubi ka postuar në rrjetet sociale foto dhe video nga seanca, ku shihen lojtarët duke punuar në taktikat e reja dhe në koordinimin e grupit.
Mes imazheve të publikuara, Zhegrova u pa duke shoqëruar mbrojtësin francez Pierre Kalulu, me të cilin ndan gjuhën dhe komunikimi duket i natyrshëm në fushë.
Ky aspekt pritet të ndihmojë në integrimin e tij të shpejtë në grup dhe në formacionin e trajnerit Tudor.
Transferimi i Zhegrovas te Juventus ishte një nga lëvizjet më të spikatura të verës, pasi sulmuesi kosovar firmosi një kontratë pesëvjeçare deri në qershor 2030, me një çmim bazë prej 14.3 milionë euro dhe bonuse deri në 3 milionë euro, duke u konfirmuar si një prej blerjeve strategjike të Bianconerëve.
Përveç përvojës në Ligue 1 me Lille, ku shënoi gola dhe dha asistime të shumta, Zhegrova pritet të ofrojë shpejtësi, driblim dhe kreativitet në krahun e djathtë të sulmit, pozita e tij e preferuar.

Ai do të bashkohet me ish-bashkëlojtarin Jonathan David dhe pjesën tjetër të skuadrës për të forcuar opsionet taktike të Juventusit në sezonin 2025–26./Demokracia.com/