BallinaVitrina e libritBlerina Behari-Aroma e tokës

Blerina Behari-Aroma e tokës

Dua t’i dorëzohem tokës
në këtë gjysmëshekulli të çjerrë,
aty ku befasia
mbyt vitet e mia,
ku zëri i një kukuvajke
humbet në vetminë e saj.
Errësirë, heshtje e frikshme,
afrohen zërat drejt meje,
e trembur strukem brenda qenies sime.
Me bulkthin futem nëntokë,
humbas në rrënjët e mia,
gjej veten duke lëvrirë rreth e rrotull,
ringrihem madhërisht
në lastarë nimfash,
krijuar nga pluhuri i duarve të hyjnores.
Unë, bija e Tokës,
mbartëse e krijesave njerëzore,
prek jetën e pa frymë që gëlon rreth meje.
Natyra më thërret përtej metamorfozës,
eci pa u ndalur në shkëmbinj rrugësh të pathyeshme,
ndal në majat e gishtërinjve.
Në sytë e shpirtit,
ndjesia e tokës më thërret,
zhytur në labirinte,
ekzistenca ime më ulëret.
Hutohem dhe vazhdoj
rrugën e jetës që prek horizontet e përflakura,
bërtas me piskamë,
zëri humbet brenda apokalipsit që shqyen ditët e mia.
Nga toka rilinda dhe atje dëshiroj të kthehem,
të prek vitet e mia duke ndalur kohën,
të largoj retë,
të mbjell diej që shuajnë shiun,
të shoh mëshirën e Zotit ndaj njeriut.
Me sytë dhe duart drejt qiellit,
duke mërmëritur lutjen e fundit,
ekzistenca ime grushton në heshtje,
dhe zëri zhduket në zbrazëtinë e ecejakeve,
emblemë e kryqëzatave,
mbetem diku…
Një pikë në univers.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT