Shkruan Zymer Mehani
Sot, ndërsa koha ka mbërthyer kalendarin te përvjetori i lindjes së Naim Frashërit, dritës që u priu shqiptarëve drejt vetëdijes kombëtare, ndjehet një heshtje e rëndë. Jo ajo heshtje e shenjtë e respektit, por heshtja e një populli që, mes zhurmës së botës së huaj, ka harruar të dëgjojë zërin e gjakut të vet.
Naimi, me penën e tij të artë, na mësoi se Shqipëria është shtëpia jonë. Por çfarë bëjmë ne sot? Ne po e shembim shtëpinë tulla-tulla, për të ndërtuar stane të huaja, duke menduar se liria është të kesh gjithçka, përveçse të jesh vetvetja.
Shqiptarët e sotëm janë shndërruar në kameleonë të dëshpëruar. Duan të jenë gjithçka: kopje të shëmtuara të perëndimorëve, imitues të mjerë të lindorëve, ndjekës të verbër të modave që ndërrohen sa hap e mbyll sytë. Kemi veshur maska aq të trasha, saqë kemi harruar se çfarë fytyre kemi pasur përpara se të fillonim këtë garë për t’u bërë “dikush” tjetër.
Gjuha, e masakruar, e mbushur me huazime të panevojshme dhe me një shpërfillje që do ta bënte Naimin të derdhte lot;
Kultura, e kthyer në mall tregu, ku folklori shitet si suvenir për turistët, ndërsa në shpirtin tonë kemi importuar boshësinë;
Dinjiteti, i nënshtruar ndaj komplekseve të inferioritetit. Ne ndihemi të vegjël, ndaj përpiqemi të rritemi duke u kapur pas petkave të të tjerëve.
Si mund ta festojmë Naimin, kur parimet e tij i kemi shkelur me këmbë? Poeti i madh ëndërroi një popull të arsimuar, krenar, që e sheh gjuhën si shenjë bashkimi dhe atdheun si destinacion të shenjtë. Ne, përkundrazi, kemi zgjedhur rrugën më të shkurtër: mohimin.
Jemi bërë si ai udhëtari që, pasi mori hartën në dorë, vendosi ta djegë sepse nuk i pëlqente drejtimi që tregonte. Kemi “rrjedhur” nga mendja duke besuar se identiteti është një pengesë për t’u pasuruar apo për t’u bërë “modernë”. Por një popull pa bosht, pa gjuhë, pa kulturë dhe pa kujtesë, nuk është as modern, as i pasur. Është thjesht një turmë e humbur që flet në gjuhë të huaja, duke harruar se nëna e tij e ka emrin Shqipëri.
“Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar…” — shkruante Naimi.
Sot, ne nuk po kërkojmë nderin; ne po kërkojmë miratimin e të huajve, ndërkohë që vrasim me indiferencë çdo gjë që na bën shqiptarë.
Nëse sot, në ditëlindjen e poetit, duam vërtet ta nderojmë, le ta bëjmë këtë jo me fjalime patetike, por me një reflektim të dhimbshëm. Le të pyesim veten: Kur ishte hera e fundit që folëm bukur shqip? Kur ishte hera e fundit që e mbrojtëm të drejtën tonë për të qenë krenarë, pa pasur nevojë për vulën e askujt?
Të bëhesh gjithçka tjetër është lehtë. Të jesh shqiptar, në këtë kohë sfidash, është një akt rezistence. Kush kërkon të bëhet gjithçka, në fund përfundon duke mos qenë asgjë.
Si mendoni, a është ende e mundur të kthehemi te rrënjët tona, apo jemi shkëputur aq shumë saqë po shkojmë drejt një shuarjeje identitare?
