Të shihja…
tek zbret mendueshëm
me madhështi perëndie,
me urti orakujsh…
Në shpirt të janë blatuar
ca lule maji e magji ëndjesh,
ca flutura e ëndrra
t’i ngjyrosin agimet…
Në rizgjimin prej ëndrre
të jem fryma jote dhe kurmi yt dua,
të jesh drita dhe perëndimi im,
të më pushtosh si vrushkull malli
të digjemi në afshe zjarri!
Të të doja…
si shenjtore me përulësinë e kësaj bote!
NË MUNDEM PA TY
Si ditë pafundësisht diellore,
josh e josh pa mbarim
ndihet malli që të treti larg
dhe, si venitesh për një prekje,
krizantemë delikate…
As që mundem pa ty!
Sytë mbuluar me tis malli
për prekjen, për afshin tënd
sërish je legjendë e largët…
larg syve ziliqarë do prehesh i qetë
s’do kthehesh në botën e zilisë më!
Në sirtarin e librave
një zarf të zverdhur gjeta,
një shkresë dhe inicialet tua,
një kujtim gati të harruar.
Trazohet shpirti si arkë e vjetër,
çasti pushton të largëtat ëndrra
si një mall i fjetur dergjesh
në libër të pashkruar metaforash.
NDJENJË E TRËNDAFILTË
E nise me ndjenjë të trëndafiltë
në zjarre puthjesh shkrumbuar,
si petale tundur nga era,
kujtime mbi rrahje zemrash,
për vashën – hyjneshë
me shikim topitës si vapë vere.
Ajo, në prushanë puthjesh të përshkon
netëve tunduese,
sytë të mbushen dritë…
mes ëndrrash mëngjesesh
enden grimca lumturie.
