Po ç’deshe atje në kafenenë,
ku neonet mezi mbanin gjallë natën
dhe tavolina jonë rrinte ende,
si një plagë e pambyllur?
Ç’deshe në atë stol,
ku dikur, edhe heshtjet tona
ngroheshin nga njëra – tjetra?
Ti e dije…
Asgjë nuk do ishte si atëherë.
Hëna varej mbi qytet;
llambë e ftohtë morgu.
Larg rrinin yjet,
si njerëz që nuk duan
të përzihen me plagë të vjetra.
Neonet dridheshin në asfalt;
nerva të lodhura,
e xhamat e kafeneve pasqyronin mungesë.
Por, ti…prapë shkove.
U ule, si dikush që kërkon një zë,
brenda një shtëpie të djegur,
sepse thellë-thellë,
nuk po kërkoje vendet tona.
Më kërkoje mua,
në mënyrën si binte drita mbi tavolinë,
në avullin e kafes,
në hijen bosh përballe teje
dhe ndoshta për një çast,
të është dukur,
se do të hyja nga dera
me të njëjtën vonesë të zakonshme,
me të njëjtët sy, ku ti dikur…
lije gjithë lodhjen, e brengën e botës.
Por, nuk mund të vij unë.
Jo, jo, s’ mundem të vij…!
