BallinaKulturëOsman Humolli – Shëmbëlltyrë e arsimit tonë kombëtar PORTRET I MËSIMDHËNËSIT SHEMBULLOR

Osman Humolli – Shëmbëlltyrë e arsimit tonë kombëtar PORTRET I MËSIMDHËNËSIT SHEMBULLOR

Historia e arsimit shqiptar është ndërtuar mbi përkushtimin, sakrificën
dhe idealizmin e brezave të tërë mësimdhënësish, të cilët, në periudha
të ndryshme historike, e kanë kuptuar dijen jo vetëm si instrument
emancipimi individual, por mbi të gjitha si mision kombëtar. Në këtë
galeri personalitetesh të arsimit shqiptar, një vend të veçantë zë
mësimdhënësi Osman Humolli, një figurë e respektuar e Llapit dhe një
shembull përkushtimi profesional, atdhetarizmi dhe humanizmi, i cili
me jetën dhe veprën e tij mishëroi modelin e mësuesit shqiptar në
kuptimin më të plotë të fjalës.

Osman Humolli lindi më 1 korrik 1936 në Lupçin e Poshtëm, në një kohë
historike tepër të vështirë për shqiptarët në ish-Jugosllavi, kur politika
shtetërore e Mbretërisë së SKS-së ushtronte forma të ashpra
diskriminimi politik, kulturor dhe arsimor ndaj popullsisë shqiptare.
Fëmijëria e tij u karakterizua nga sprova të hershme jetësore në
moshën gjashtërvjeçare i vdes nëna, duke mbetur së bashku me vëllain
më të vogël nën kujdesin familjar, në kushte jo të lehta ekonomike dhe
sociale. Megjithatë, pikërisht këto rrethana do të farkëtonin karakterin
e tij të fortë dhe vullnetin për dije.
Fillimi i shkollimit të tij përkoi me një periudhë të rëndësishme historike
për arsimin shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë angazhimit të
ministrit të arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi, i cili dërgoi qindra
mësues shqiptarë në trojet etnike jashtë kufijve administrativë të
Shqipërisë Londineze, u krijuan mundësi për hapjen e shkollave shqipe
në Kosovë dhe treva të tjera shqiptare. Këtë mundësi historike e
shfrytëzoi edhe Osman Humolli, i cili hodhi hapat e parë drejt rrugës që
do ta lidhte përjetësisht me arsimin dhe kulturën kombëtare.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku mësues pati Pëllumb
Radovicën. Që në moshë të re u përfshi në procesin arsimor si
mësimdhënës, duke filluar punën në fshatin Tërrnavë. Paralelisht me
angazhimin profesional, ai vazhdoi shkollimin e mëtejshëm në
progjimnazin e Podujevës, duke udhëtuar çdo ditë në këmbë — një
dëshmi e qartë e vullnetit të tij të jashtëzakonshëm për përparim
intelektual. Më vonë shërbeu si mësues në Lluzhan, ndërkohë që vijoi
mësimet në Shkollën Normale të Prishtinës, ku pati privilegjin të jetë
bashkëkohës me figura të njohura si Veli Gërvalla dhe Veli Kajtazi,Shefki
Sejdiu ndërsa u formua akademikisht nga pedagogë të shquar si Rexhep
Hoxha, Ali Hadri, Beqir Kastrati, Hazir Shala, Xhemail Pllana dhe të tjerë.

Edhe pse kishte prirje të veçanta dhe njohuri të thelluara në lëndën e
matematikës, rrethanat ekonomike familjare e detyruan të orientohej
drejt studimeve në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në
Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ky vendim nuk ishte vetëm
zgjedhje profesionale, por edhe reflektim i realitetit social të familjes së
tij, ku babai Shabani, si bujk me të ardhura modeste, mbante një familje
të madhe me nëntë fëmijë. Në këtë kontekst, rruga akademike e
Osman Humollit përfaqëson një histori të qartë të triumfit të vullnetit
mbi kufizimet materiale.
Pjesa më domethënëse e jetës së tij profesionale lidhet me kontributin
shumëvjeçar në shkollën e Lluzhanit, ku punoi për plot 37 vite pa
ndërprerje deri në pensionim. Në këtë periudhë, ai nuk ishte thjesht
transmetues i dijes, por edukator në kuptimin e plotë pedagogjik dhe
shoqëror. Ai dallohej për përpikëri të jashtëzakonshme, disiplinë
profesionale, metodologji cilësore të mësimdhënies dhe komunikim të
afërt me nxënësit dhe prindërit. Përmes punës së tij ai arriti të krijojë jo
vetëm gjenerata të arsimuara, por edhe individë me vetëdije qytetare
dhe kombëtare. Në kontekstin politik dhe shoqëror të kohës, kur arsimi
shqip në Kosovë përballej vazhdimisht me kufizime institucionale dhe
presione ideologjike, Osman Humolli shndërrohet në figurën tipike të
mësuesit-misionar shqiptar. Ai kuptonte se shkolla nuk ishte vetëm
hapësirë mësimore, por vend ku ndërtohej identiteti kombëtar dhe ku
formësohej vetëdija e brezave të ardhshëm. Pikërisht për këtë arsye ai
ishte jo vetëm mësues i respektuar, por edhe edukator me ndikim të
thellë në komunitet.
Respekti që gëzonte tek nxënësit, kolegët dhe prindërit buronte nga
serioziteti, integriteti moral dhe dashuria e pakushtëzuar për
profesionin. Rezultatet e larta të nxënësve të tij në procesin edukativoarsimor dëshmonin cilësinë e punës së tij pedagogjike, ndërsa
institucionet arsimore, përfshirë Drejtorinë e Shkollës së Lluzhanit dhe
Drejtorinë Komunale të Arsimit në Podujevë, e vlerësuan me
mirënjohje dhe dekorata për kontributin e veçantë në arsim.
Figura e Osman Humollit përfaqëson modelin klasik të mësuesit
shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX: njeri i dijes, edukator i
përkushtuar, intelektual i angazhuar dhe patriot që arsimin e
konsideronte shtyllë të ekzistencës kombëtare. Në jetën e tij
gërshetohen sakrifica personale, disiplinë profesionale dhe vizion i
qartë për rolin emancipues të shkollës në shoqëri. Ai krahas angazhimit
në procesin edukativo-arsimor me nxënës, merrej edhe me gazetari e
publicistik e gjithashtu si poet qe ishte ka publikuar rreth 300 poezi në
gazeta të ndryshme si Rilindja, Pioneri, Shkëndija, Flaka e Vëllazerimit
etj. Një kohë të gjatë ishte edhe bashkëpunëtor i Radio Prishtinës.
Sot, kur kujtojmë 90-vjetorin e lindjes së tij, kujtojmë një personalitet
që nuk i përkiste vetëm familjes apo vendlindjes së tij, por gjithë
traditës së arsimit shqiptar në Kosovë. Me këtë rast kujtojmë edhe 30
vjetorin e vdekjes së Osman Humollit, me 7 korrrik 1996, i cili do të
mbetet dëshmi e gjallë se mësuesi i vërtetë nuk matet vetëm me vitet e
punës apo me njohuritë që transmeton, por me gjurmën që lë në
ndërgjegjen kolektive të një populli.
Prandaj, emri i tij meriton të kujtohet si portret i mësimdhënësit
shembullor — si një shëmbëlltyrë e denjë e arsimit tonë kombëtar, që
me punën, karakterin dhe idealin e tij dëshmoi se edukimi është akti
më i lartë i shërbimit ndaj kombit. Në historinë e arsimit shqiptar, figura
të tilla nuk plaken kurrë, ato mbeten udhërrëfyese për brezat që vijnë.

Shkruan prof.dr Sadri Rexhepi

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT