BallinaVitrina e libritManushaqe Hoxha Laçi-Sërish unë

Manushaqe Hoxha Laçi-Sërish unë

Më ngritën shumë gjyqe, para se t’më njihnin,
me fjalë të ftohta, me sy që s’pranonin dritë;
më matën nëpër skanerë, që mua s’më shihnin,
e më vendosën emra, që s’i përkisnin timit shpirt.

Më panë sipas paragjykimeve, përmes trillimit,
më deshën të heshtur, pa zë, të dorëzuar;
por unë eca me dinjitet t’pastër, si uji i burimit,
jo ku donte t’më shtynte turma, si uragan i tërbuar.

Me gurët që m’hodhën, rrugë të reja shtrova,
por s’u bëra jehonë e zhurmës pa fytyrë;
me hapa të sigurtë rrugëtimin tim vazhdova,
se lisat s’gjunjëzohen e s’debatojnë me stuhitë.

Sa t’u mjaftojë fryma le t’më gjykojnë,
me xhamin e vet secili sheh çdo ngjyrë;
veç ndërgjegjen time kurrë s’e lëndojnë,
se e vërteta ime s’ka nevojë për pasqyrë.

S’kërkova duartrokitje, krenare për t’jetuar,
për të qenë vetvetja s’prita miratim;
se qetësia është përgjigjja që u kam dhuruar,
kur zhurma kot lodhet duke m’gjykuar gabim.

Dhe kur të shuhet jehona e çdo gjykimi,
do të mbetet vetëm udha që kam kaluar;
e pastër në ndërgjegje, pa brengë pendimi,
se jetën time denjësisht e kam jetuar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT