PRISHTINË – Në prag të grumbullimit të radhës të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, ka dalë një zhvillim i papritur që lidhet me kapitenin *Amir Rrahmani.
Zyra e Avokatëve “Hodaj & Partners” ka njoftuar publikisht se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të mbrojtësit të Napolit, për shkak të pretendimeve për kërcënime dhe sulme.
“Kërcënime nga persona kyç dhe të lidhur brenda FFK-së”
Sipas njoftimit të zyrës së avokatëve, Rrahmani është përballur me sulme dhe cenim të reputacionit nga njerëz brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të kapitenit të Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyç dhe të lidhur brenda Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në postimin e “Hodaj & Partners”.
Postimi nuk specifikon nëse bëhet fjalë për drejtues të lartë të federatës apo persona të afërt me FFK-në.
“Për më shumë se dy vite ka pasur presione”
Zyra e avokatëve udhëhiqet nga Taulant Hodaj, ish-ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.
Sipas tyre, tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore.
“Në kuadër të këtij përfaqësimi tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore dhe janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë, të mbështetur në prova dhe fakte, ndaj personave përgjegjës që janë identifikuar dhe priten të identifikohen”, thuhet më tej.
Avokatët pretendojnë se kapiteni i Kosovës ka heshtur gjatë për hir të Kombëtares.
“Për më shumë se dy vite, kapiteni Rrahmani është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme. Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t’i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal.”
“Nga ky moment adresimi përmes rrugëve institucionale”
“Hodaj & Partners” kanë bërë të ditur se nga tani e tutje çdo çështje do të trajtohet ligjërisht.
“Nga ky moment, çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të adresohen përmes rrugëve institucionale dhe mbi bazën e provave”, përfundon njoftimi.
Deri më tani, Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.
