Kam kohë që nuk shkruaj, seç kam një përtesë,
por kjo s’më ndodh se më ka ikur muza;
veç ndonjëherë më hipën në kokë për largesë
dhe vargu s’më del i lirshëm nga buza.
Mbijeton në shpirt, ashtu, i pa shpresë,
siç sillet një zog i trembur në errësirë;
ndoshta dhe qan me zë, me dënesë,
si zog në kafaz, kur nuk është i lirë…
Por çfarë t’i them kësaj bote unë, çfarë,
kur fjala s’ka peshë dhe heshtja është torturë?
Kur zemrat nuk lahen, nuk bëjnë më gargarë,
kur ende dashuritë po vriten me gurë.
Kur vargu është si nuset me shkop…
Sikurse buzëqeshja e ngrirë në fytyrë,
i veshin një vello të bardhë, një rrobë,
por zverdhet si basma kur nuk është e mirë.
Prandaj më hesht pena, ta dini, prandaj,
se kurrë s’di të shtiret, pra, ky shpirti im.
Duket se shuhet si kandili pa vaj,
por fitili i fjalës nuk paska mbarim.
Unë dua një varg që dhemb në eshtra,
nuk dua të humbasë si plis në humnerë,
se vargu i zemrës nuk zgjon pra gënjeshtra,
zgjon lumin e lotit të “detit të gjerë”.
Se kurrën e kurrës s’vdes muza e poetit,
ajo veçse struket në shpirt si cicërimë,
si pasthirrmat njerëzore brigjeve të detit,
që dallgëve fuqishëm bëhen rimë…
