BallinaVitrina e libritMeri Bo-Një verë tjetër

Meri Bo-Një verë tjetër

Më kanë mbetur ende
ca kova të harruara
mbi rërën e ngrohtë,
si fëmijëri të vogla
që s’ditën të iknin me verën.

Deti hesht pak më shumë sot.
Valët, njëra pas tjetrës,
vijnë të më përshëndesin
dhe pastaj treten, në buzët e rërës.

Mbi horizont,
pulëbardhat endin klithmat e tyre,
si letra të bardha, që era ia dërgon detit
për një lamtumirë të fundit.

Edhe dielli
duket sikur po mbledh dritën
nga supet e mbrëmjes

Lamtumirë, verë…

Mos u largo kaq shpejt.
Kam ende në duar, kripën e ditëve të tua,
ende në sy
një horizont që nuk dua ta mbyll,
të shoh, pulëbardhën që largohet,
derisa të bëhet, një pikë e bardhë në qiell.

Pastaj do të kthehem ngadalë..
te rëra e bardhë,
te heshtja që la vera,
duke pritur një verë tjetër
që ndoshta do të më gjejë, pak më ndryshe.

Por detin…
detin do ta njohë gjithmonë zemra ime.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT