Më prit!
Më prit
ku tehu i kohës
ndan terrin nga e mugëta;
zbres me agun
në flatrat e një reje,
dhe kur ajo
ende s’ka vendosur
ç’ngjyrë do t’a vesh fustanin.
Më prit
aty ku trenat fërshëllejnë,
të ndajnë në gjysma
e bashkojnë dashuritë.
Aty
ku një puthje
la eshkën në një gjurmë
që universi përmbi të
të ndezë yjësitë.
Më prit
ku një valëz lumi
shelgut i bën naze,
e xhelozon gjinkallën
që ia merr shtruar
atje përmbi gjethe;
atje
ku dimri ruan
kristalet e akullit,
dhe pranvera
zgjon sythat që flenë.
Më prit,
në shtigje zemre më prit,
ku gjuhën ia bekojnë
vetë perënditë.
