Thursday, November 21, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Demir Reshiti.

Cikël poetik me poetin Demir Reshiti.


MALLIN PIKTUROJ

Mallin pikturoj në një copë qiell
Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen
Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha
Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim
Drejt perëndimit të kuqërremtë
Shaloj Kalin e Trojës
Deri te një hije shelgu
Ku merr fund pikturimi
Dhe nis fshirja e kufijve
Këtu
Nën hijen e shelgut vajtues
Këputet kënga e përvajshme
Këtu…

UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN 

Gjumi ka mërguar s’di se ku 
Dhimbja mbi mua shkel me thembër 
Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit 
Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe 
Heshtja trishtimin ma shton 
Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon 
Rri i hutuar si një zog i mërdhirë 
Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën 
Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve 
Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli 
E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor 
Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë 
Më vështron dhimbshëm 
Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën 
E unë i heshtur 
Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje 
Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë 
Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar 


NËNA MIJËVJEÇARE 

Një nënë si zanë mali 
Dallon nga të tjera gra 
Grua që i ndrit balli 
E s’mposhtet si një kala 

Një gruaburrë që lindi titanikë 
E me sy shemb barrierat 
Shpend gjigant sokoleshë 
Një grua jo si të tjerat 

Tërmetet pluhurin ia shkundën 
Që ndër shekuj e kishte në kraharor 
Dallgët e trazuara plagët ia shpërlanë 
Që nga luftëra të gjata kish marrë 

Një shqiponjë jo si të tjerat 
Që pezull rri fluturim 
Dy krahë që na përkëdhelin 
Dy sy që falin dashuri 

Një nënë jo si të tjerat 
E bukur si zanë 
Një nënë mijëvjeçare 
Është nëna jonë

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT