E mbetur ,
pas dere,
pret si dikur,
me këpucët zyrtare gadi në dorë ,
të veshësh përsëri me hije
Tën Zot , si atëherë,
kur të hante me sy, tek i veje pas:
e gjatë sa madhështia e tij,
e mjegulluar mëngjeseve,
e perënduar mbrëmjeve.
Veç në mesditë kur t’i shkurtoheshe
e bëheshe e vogël,
sa e vërteta,
në dritëz të diellit,
ai mpakej,
I trembej Kryezotit,
strukej në prita,
e fshihej ,
si bubuzheli nga drita.
I trembej shkurtimit tënd ,
në pritje
të perëndim- mbrëmjes,
kur ti e rivishje përsëri,
me vetëmadhështi.
Dhe ai prapë, të hante ,me sy:
Madhështia e tij, ishe ti.
Mbetur jetime,
harruar në vetmi…
Si dikur, ai pret që në garderobën e hijeve
të rikthehesh e ta riveshësh përsëri,
me hije- shembëllimi
edhe pse e paemër,
shkurtuar në diell ,
ç’hijezuar,
e mbetur në shi…
Aty,në parashkallë ,
ti prapë pret,
me lutjet e tua
për bashkëjetesë fshehjesh ,
ta zhveshësh nga qielli,
ta veshësh nga dielli,
zot , ish-in tënd,
me kamuflazhe hijesh,
fshehur dritash .
