Demir Reshiti
MË FAL KOSOVË
Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës
E shkova ta pres pranverën ndër male
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë
Që ujkun e zi ta godas në ballë
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi
Ikën ditët, netët, kohët…
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën
Ç’nuk bëra për ty Kosovë
Detit ia vodha thellësitë e pafund
Kur fushës vinte vdekja
E lumit rridhte gjaku
Kur korbat nxinin qiellin
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës
Më fal Kosovë
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty
…………………………
MIK ME DIELLIN
Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia
Mbështetur pas grilave të harresës
Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia
Terri ma shtyn përtej vdekjes
Dielli përgjumshëm ngjitet drejt qiellit
Mëngjesin e mugët qorton
Përbuz poshtërueshëm këngën e gjelit
Dita e re sot po vonon
Gjithë këto vite mbyllur pas grilave
S’di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji
Shok kam bërë diellin një rreze të tij
Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë
……………………………………….
UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN
Gjumi ka mërguar s’di se ku
Dhimbja mbi mua shkel me thembër
Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit
Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe
Heshtja trishtimin ma shton
Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon
Rri i hutuar si një zog i mërdhirë
Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën
Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve
Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli
E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor
Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë
Më vështron dhimbshëm
Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën
E unë i heshtur
Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje
Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë
Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar
…………………………………………….
MALLIN PIKTUROJ
Mallin pikturoj në një copë qiell
Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen
Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha
Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim
Drejt perëndimit të kuqërremtë
Shaloj Kalin e Trojës
Deri te një hije shelgu
Ku merr fund pikturimi
Dhe nis fshirja e kufijve
Këtu
Nën hijen e shelgut vajtues
Këputet kënga e përvajshme
Këtu…
……………………………………………………
DITA E MADHE PO AFROHET
Në këtë tokë ngjyrëhiri
që kufizohet me pemët e kujtesës sime
në këtë hapësirë të zymtë, pa shije, pa zëra,
në këto kujtime
të mbështjella me gëzofin e errët të kujtesës
në këtë dhimbje plot ankth
përkëdheli fytyrën e hënës
në mbretërinë time të natës
si nga myshku dalin zogjtë shtegtarë
dhe fluturojnë drejt pishave të gjata
e bartin me vete nga një copë atdhe
Dita e madhe po afrohet
lumenjtë po e ndërrojnë rrjedhën
kufijtë po fashiten
e krenaria po zhytet thellë në damarët e mi
në thellësinë e gjakut tim
se unë nuk e njoh më
kufirin e britmës së tyre
unë më nuk e shoh distancën mes dy qiejve
as nuk e ndjej aromën e gjakut
Në këtë ditë të madhe
të formësuar nga vuajtja
unë përjetoj fjalën atdhe
në frymëmarrjen e lëkurës sime
dhe e thërras erën
që t’i fshij kufijtë
e t’i këpus zinxhirët e heshtur
që kanë kapur arteriet e tokës sime.
………………………………………
JETËSHKRIMI
Demir Reshiti lindi më 24 qershor 1963 në fshatin Bresanë të komunës së Sharrit (Dragash, Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës.
Shkruan poezi, prozë e publicistikë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), anëtar i kryesisë së Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” të Kosovës, dhe pjesëmarrës aktiv në shumë manifestime letrare që organizohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj. Ka fituar Çmimin e Parë për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe Çmimin e Parë për poezi në manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut”. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në një mandat. Ka punuar si kryeredaktor, redaktor e gazetar në disa mediume. Aktualisht punon në RTK – Radio, në Prishtinë.
Deri më tani ka botuar këto libra:
- Trung i ndarë (K.L.“Luigj Gurakuqi” Sharr, 1992);
- Ofshamë (K.L. “Luigj Gurakuqi” Sharr,1995);
- Abetaka (“Rilindja” Prishtinë; Sh.B. “Galaxy” Prishtinë 1995-2012) i ribotuar nëntë herë;
- Reshje nën Pikëllimë (Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” Sharr,1996) si koautor;
- Ngutëm ta kapërcej kohën (Sh.B. “Anton Pashku” Kukës, 2000);
- Libri i Mrekullive (“Rilindja” Prishtinë, 2001);
- Libri i Gjeneratës – monografi për gjeneratën e Dytë të Degës së Gazetarisë së UP (Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2009);
- Mik me Diellin (“Zef Serembe” Prishtinë, 2012);
- Luleborë Sharri – Monografi për Klubin Letrar “Luigj Gurakuqi” (“Thesari”, Sharr, 2016) si koautor;
- Libri i Mrekullive – përmbledhje e vjershave të zgjedhura për fëmijë, (Sh. B. “Voka-4” Tetovë, 2017); dhe
- Endje – kritikë letrare (“Thesari”, Prishtinë, 2019