Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritDemir Reshiti -Cikël poetik

Demir Reshiti -Cikël poetik

Demir Reshiti

MË FAL KOSOVË

Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës

E shkova ta pres pranverën ndër male

Me mallin për ty u nisa me të gdhirë

Që ujkun e zi ta godas në ballë

Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi

Ikën ditët, netët, kohët…

Kalorës kohërash u bëra tërë jetën

Ç’nuk bëra për ty Kosovë

Detit ia vodha thellësitë e pafund

Kur fushës vinte vdekja

E lumit rridhte gjaku

Kur korbat nxinin qiellin

E trishtimi qe bërë pjesë e jetës

Më fal Kosovë

Nëse s’kam bërë sa duhet për ty

…………………………

MIK ME DIELLIN

Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia

Mbështetur pas grilave të harresës

Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia

Terri ma shtyn përtej vdekjes

Dielli përgjumshëm ngjitet drejt qiellit

Mëngjesin e mugët qorton

Përbuz poshtërueshëm këngën e gjelit

Dita e re sot po vonon

Gjithë këto vite mbyllur pas grilave

S’di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji

Shok kam bërë diellin një rreze të tij

Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë

……………………………………….

UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN

Gjumi ka mërguar s’di se ku

Dhimbja mbi mua shkel me thembër

Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit

Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe

Heshtja trishtimin ma shton

Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon

Rri i hutuar si një zog i mërdhirë

Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën

Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve

Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli

E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor

Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë

Më vështron dhimbshëm

Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën

E unë i heshtur

Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje

Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë

Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar

…………………………………………….

MALLIN PIKTUROJ

Mallin pikturoj në një copë qiell

Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen

Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha

Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim

Drejt perëndimit të kuqërremtë

Shaloj Kalin e Trojës

Deri te një hije shelgu

Ku merr fund pikturimi

Dhe nis fshirja e kufijve

Këtu

Nën hijen e shelgut vajtues

Këputet kënga e përvajshme

Këtu…

……………………………………………………

DITA E MADHE PO AFROHET

Në këtë tokë ngjyrëhiri

që kufizohet me pemët e kujtesës sime

në këtë hapësirë të zymtë, pa shije, pa zëra,

në këto kujtime

të mbështjella me gëzofin e errët të kujtesës

në këtë dhimbje plot ankth

përkëdheli fytyrën e hënës

në mbretërinë time të natës

si nga myshku dalin zogjtë shtegtarë

dhe fluturojnë drejt pishave të gjata

e bartin me vete nga një copë atdhe

Dita e madhe po afrohet

lumenjtë po e ndërrojnë rrjedhën

kufijtë po fashiten

e krenaria po zhytet thellë në damarët e mi

në thellësinë e gjakut tim

se unë nuk e njoh më

kufirin e britmës së tyre

unë më nuk e shoh distancën mes dy qiejve

as nuk e ndjej aromën e gjakut

Në këtë ditë të madhe

të formësuar nga vuajtja

unë përjetoj fjalën atdhe

në frymëmarrjen e lëkurës sime

dhe e thërras erën

që t’i fshij kufijtë

e t’i këpus zinxhirët e heshtur

që kanë kapur arteriet e tokës sime.

………………………………………

JETËSHKRIMI

Demir Reshiti lindi më 24 qershor 1963 në fshatin Bresanë të ko­munës së Sharrit (Dragash, Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universite­tin e Prishtinës.

Shkruan poezi, prozë e publicistikë.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), anëtar i kryesisë së Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” të Kosovës, dhe pjesëmarrës aktiv në shumë manifestime letrare që organizohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj. Ka fituar Çmimin e Parë për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe Çmimin e Parë për poezi në manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut”. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kos­ovës në një mandat. Ka punuar si kryeredaktor, redaktor e gazetar në disa mediume. Aktualisht punon në RTK – Radio, në Prishtinë.

Deri më tani ka botuar këto libra:

  1. Trung i ndarë (K.L.“Luigj Gurakuqi” Sharr, 1992);
  2. Ofshamë (K.L. “Luigj Gurakuqi” Sharr,1995);
  3. Abetaka (“Rilindja” Prishtinë; Sh.B. “Galaxy” Prishtinë 1995-2012) i ri­botuar nëntë herë;
  4. Reshje nën Pikëllimë (Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” Sharr,1996) si koautor;
  5. Ngutëm ta kapërcej kohën (Sh.B. “Anton Pashku” Kukës, 2000);
  6. Libri i Mrekullive (“Rilindja” Prishtinë, 2001);
  7. Libri i Gjener­atës – monografi për gjeneratën e Dytë të Degës së Gazetarisë së UP (Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2009);
  8. Mik me Diellin (“Zef Serembe” Prishtinë, 2012);
  9. Luleborë Sharri – Monografi për Klubin Letrar “Luigj Gurakuqi” (“Thesari”, Sharr, 2016) si koautor;
  10. Libri i Mrekullive – përmbledhje e vjershave të zgjedhura për fëmijë, (Sh. B. “Voka-4” Tetovë, 2017); dhe
  11. Endje – kritikë letrare (“Thesari”, Prishtinë, 2019
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT