Kolla e zemrës
Kollës së grykës mund t’ia gjesh shumë shpejt ilaçin
Për të, mjeku i lagjes ta jep recetën në çast.
Te barnatorja e bën edhe më të nxituar hapin,
Që gjumin e natës ta bësh të qetë në shtrat.
E vrapon te tufa e çajit, diku të fshehur
Mbase te një gotë raki nga ajo më e forta.
Që zëri të mos mbesë në grykë si top, i mbledhur
E të mos trembet fqinja ku të trokasë te porta.
Po ruaju mike kur ke këtë kollë zemre
Që nuk ia gjen dot në asnjë farmaci shërimin.
Të sjell dhe mes dimrit një stinë pranvere.
A të bën të jetosh më shumë se poeti frymëzimin.
E ti flet ca fjalë te çuditshme si një sonambule moderne
Pa fërkuar gishtërinjtë e pëllëmbën e dorës së mëndafshtë
Kujton ca monologje që zbardhit terrin e netëve
Të mbin në buzë një trëndafil si prush I zjarrtë.
E pret të bëhesh për veten mjeku më i saktë
Për atë kollë zemre që nuk njeh asnjë terapi e moshë
Hë, më thuaj ç’do t’i bësh kësaj kohe mjaft të rrallë?
E ç’recetë do shkruash për ditën që do agojë?
Më thuaj
E mos më lër dhe mua të vuaj!