Një kujtesë për poezinë
Mos e lër poezinë si vajza që priste dasmën.
E ngulte sytë te një beze me lulen e paqëndisur.
Poezia do ajër, do lumturinë e lakmuar të majës.
Kërkon që të përkëdhelë një trup të drobitur.
Mos e lër atë si Hirushe që zgjohet mes përrallës.
Ani pse jashtë nuk ka një princ hipur në kalin e bardhë.
Lëreni të prushërohet si zjarri bubulak mes këngës.
Dërgojeni atë në një strehë ku ka brengë dhe mall
.
Bëje ftua, mollë e shegë të erëmojnë valixhe e sepete,
Bëjeni fllad prillan për një ballë të djersitur udhëtari.
Bëjeni far për peshkatarët që vrapojnë me anije në dete.
Bëjeni busull për një fjalë të mençur pajtimtari.
Aty është fluturimi, syçelja e ditës dhe dehja.
Është një rreze që futet mes tjegullës së copëtuar.
Është kafshata e bukës dhe lulja e vënë te buqeta.
Është etja që shuhet pas puthjes së buzës së shkrumbuar.
Oh, vetëm poezinë e mos e lër të rënkojë asnjë stinë
Ajo kërkon që të jetë sqep zgalemi nëpër dallgë.
Nëse qoftë dhe një çast vyshken petalet në trëndafilë.
Atë duhet tam bash brenda vetes si diamant të rrallë.
Mos e bëj bretkosë që guak në muzg tek moçali.
Dikush nga larg e do atë natën tek jastëku i gjumit.
Bëje si lisi apo pishë qepallegjelbër tek mali
A një sorkadhe që luan mes shkëmbinjve buzë lumit.
Mos e lër të trembet nga cerga sterrore e natës.
As nga ngërdheshjet e egër të vrasësve të rrugës
Bëje një pikël vese në fijen e barit a në gjethen e lofatës .
Bëje flamur për trimat që shkojnë ballëlart drejt luftës.
Bëje parfum për flokët e vajzave me rrahje të reja zemre
Një tingull fyelli për rapsodët dhe barinjtë tej stani.
Mbase bëhët një lule e mbirë në shpate bjeshke
A një fjalë e ngrohtë kur ulen gjunjët tek varri.