Friday, July 11, 2025
BallinaKalendari EnciklopedikFjala e përmortshme për vdekjen e Faik Konica nga Fan Noli

Fjala e përmortshme për vdekjen e Faik Konica nga Fan Noli

Zonja dhe Zotërinj,

Jemi mbledhur këtu për t’i bërë nderimet e fundit dhe për t’i lënë lamtumirën birit më eminent të Shqipërisë, Faik Konicës, i cili ishte njëri nga pionerët më të njohur të pavarësisë shqiptare. Ai padyshim ishte mjeshtri më i skalitur i prozës së shkruar. Ishte njeriu, i cili rizbuloi Flamurin e vjetër të Skënderbeut. Këto janë tri karakteristika, të cilat as opozitarët më të egër nuk do të ëndërronin t’ia mohonin Konicës.

Flamuri i Shqiptarëve: – Më lejoni të them disa fjalë për flamurin e shqiptarëve. Siç e dini të gjithë, asnjë flamur i fqinjëve tanë në Ballkan, nuk është më i vjetër se një shekull e gjysmë. Disa prej tyre janë më të rinj se një shekull. Flamuri ynë është më se 500 vjet i vjetër. Ishte ky flamur i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, i cili luftoi kundër turqve për më se një çerek shekulli dhe ishte luftëtari i krishterë i fundit në Ballkan që me sukses i mposhti sulltanët e Turqisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, fuqitë evropiane e lanë Shqipërinë pas dore që domosdo u nënshtrua. Shqipërisë pastaj iu desh të rënkojë për nja 4-5 shekuj nën zgjedhë otomane. Gjatë kësaj kohe flamuri i Skënderbeut ishte harruar. Askush nuk dinte për ekzistimin e tij deri në momentin kur një shkollar i ri e vendosi në një bibliotekë latine për Skënderbeun. Ai shkollar i ri ishte Faik Konica, dhe flamuri me shqiponjën dy krenare, që tash e ka mbuluar arkivolin e Faik Konicës, është flamuri që ai e rizbuloi.

Shkollimi : Nga ajo që thashë mund ta merrni me mend se Faik Konica ishte me shkollë të lartë. Pat studiuar në shkollat franceze dhe e mori diplomën e pjekurisë në liceun e Universitetit të Francës. Më vonë, magjistroi në lëmin e gjuhëve romane të Universitetit të Harvardit. Diplomat nuk e kënaqën Konicën dhe kështu ai edhe më tutje lexoi shumë libra dhe çkado që lexoi nuk e harronte. Ai ishte një enciklopedi e gjallë.

Karriera : Në moshën 26 vjeçare fillon të nxjerrë revistën “Albania” në Bruksel, në gjuhën frënge e shqipe dhe kjo vazhdoi deri më 1910, kur Konica erdhi në SHBA. Revista e tij është muze i historisë, i letërsisë, i filologjisë dhe i folklorit shqiptar. Revista u shkrua me stil të bukur dhe kjo është vepra më e vlefshme që na ka lënë. Në Bibliotekën e Uiender të Universitetit të Havardit gjendet koleksioni i veprave të Faik Konicës ku mund te lexohen edhe ato. Konica në Amerikë shërbeu si redaktor i gazetës “Dielli” dhe kryetar i Federatës Shqiptare “Vatra”. Sa i përket punës së tij gazetareske, ju të gjithë e dini se nuk ka qenë i shkëlqyeshëm, ngase ndonjëherë e zhyste penën në acidin e gurkalit të stilit të vërtetë francez, por tek e fundit askush nuk është brilant, dhe kështu të kaluarat po i harrojmë. Më 1926, Mbreti Zog e emëroi Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë, detyrë që e ushtron deri në vitin 1939, vit fatal kur Shqipërinë e okupoi Italia.

Akti i fundit : Pasi që Italia e pushtoi Shqipërinë, Departamenti i Shtetit i SHBA i dërgoi letër Zotëri Konicës duke lajmëruar se autorizimi si ministër i Shqipërisë nuk vlen më, ngase Shqipëria nuk ekziston më dhe se u mbyll Legata Shqiptare në Uashington. Ishte kjo politikë bindëse, por që nga viti 1939 gjërat kanë ndryshuar. Lufta plasi. Musolini nuk u pajtua, por iu bashkangjit Gjermanisë dhe më në fund Pearl Harbor e futi Amerikën në luftë. Dhe kështu Shqiptarët, edhe pse të lënë anash, nuk e ndalën luftën kundër okupatorit italian. Në Shqipëri shqiptarët gjatë tërë kohës zhvillonin luftë guerrile. Uashingtoni dhe Londra e panë se shqiptarët zhvillonin luftë të vërtetë dhe kështu paraqisnin ndihmesë për Kombet e Bashkuara. Dhe më 10 dhjetor Zotëri Cardel Hull, Sekretari i Shtetit, foli për trimërinë e luftëtarëve shqiptarë, të cilët ia sollën Shqipërisë përsëri pavarsinë nën Kartën e Atlantikut. Mbreti Zog e emëroi Zotëri Konicën përfaqsues në Uashington dhe si kryetar i Qeverisë Shqiptare në mërgim kërkoi njohjen zyrtare të saj. Zotëri Konica, në emër të Mbretit Zog, i shkroi Departamentit të Shtetit lidhur me njohjen e lartpërmendur dhe ky qe aktiviteti i tij i fundit. Pas disa ditësh, Faik Konica vdiq dhe kështu nuk mori përgjigje prej Departamentit të Shtetit, por ne e presim atë përgjigje dhe shpresojmë të na vijë si pozitive. Zotëri Hulli, në fjalën e tij historike të 10 dhjetorit, lidhur me çështjen e Shqipërisë tha: “Në pajtim me politikën e saj të vendosur që të mos pranojmë sundimin territorial me dhunë, Qeveria e SHBA kurrë nuk ka pranuar që Shqipëria t’i aneksohet Italisë”. Po qe se kjo ka ndonjë kuptim, atëherë do të thotë se SHBA e njohin Qeverinë e Mbretit Zog dhe jo Mbretin e Italisë në krye të pushtetit Shqiptar.

Shënim nderi : Ekziston edhe një evidencë tjetër në favor të së cilës flet Departamenti i Shtetit. Qeveria Amerikane ka vendosur trupin e të ndjerit Konica ta dërgojë në Shqipëri menjëherë pas luftës. Një sjellje e këtillë bujare u kushtohet vetëm diplomatëve të huaj, të cilët vdesin gjatë mandatit. Kjo do të thotë se Zotëri Konica është njohur si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare, i cili vdiq gjatë mandatit të tij politik. Pra, ne u shprehim mirënjohje të thellë sjelljeve bujare të Qeverisë Amerikane dhe e dimë se Faik Konica meritonte një respekt të tillë. Ai meriton të varroset në vendin për të cilin punoi tërë jetën me nder. Dhe Zoti e përhiroftë duke i falur parajsën.

Mund të jetë një imazh i 1 person
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT