Thursday, April 18, 2024
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Nuk t'i zbrita yjet

Pajtim Xhelo-Nuk t’i zbrita yjet

Nuk t’i zbrita yjet

Atë mbrëmje dimri nuk t’i zbrita yjet,
Ishin endur përmbi re, në një stuhi,
Bridhnin n’errësisrë si të marra hijet,
Ëndrrat i arratisëm unë dhe ti.


Diku, në terrana, dimri fshehu pyjet
Dhe qiellin e përzjeu në marri,
Ca fije të jetës, shtrënguar në nyjet,
Shpirtrat tanë i përkundën në mërzi.


Jashtë dimri inatçor përzuri hijet,
Natën e verbër përplasi në tejana,
Pa i njehësoi djallin me mirijet,
U ngjitën maleve fata edhe Zana.


Pas puthjeve të ftohta zemrat zhurmonin,
Tej xhamave akull përplasej stuhia,
Pa yje, natën as shpirtrat nuk e donin,
Mbyllëm sytë dhe ja, u ndez dashuria.


Yjet nuk t’i zbrita, po ënddrat t’i solla,
Pas perdes nata blu ra në yllësi,
Me ca flakë zjarri se ç’të përcëllova,
Buzë edhe shpirt, ashtu, në verbëri.


Për inat të dimrit natën e harruam,
E pritëm mëngjesin veç në dashuri,
Në flakë mëkati ne u përvëluam,
Edhe yjet zbritën n’atë verbëri.


Atë natë dimri bota ish e shkretë,
Flakët e shpirtit nëpër terr xixëllonin,
Edhe Zotat rendnin, donin tjetër jetë,
Pas xhamave akull hijet vallëzonin.


Kësisoj mësova të t’i zbrisja yjet,
Edhe kur qielli rrëzonte veç shi,
Symbyllur, ndjenim si fëshfërinin pyjet,
Ashtu si nata shtyhej në verbëri.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT