MOS MË THUAJ S’TË NJOH
Mos më thuaj s’të njoh, se s’është mirë,
s’është mirë asgjë të harrosh,
sikur me të, vetëm një gotë e ke pirë,
e ke ndihmuar… dhe më fortë do e ndihmosh.
Mos i thuaj kurrë s’të njoh një të gjalli,
dhe të vazhdosh ti thuash, ku vallë, ku jemi parë?
ndoshta në një vend ku u bashkoi halli,
ndoshta tek ndiqnin pikën e ujit te një arë.
Mos thuaj për atë, s’e kam parë ndonjëherë,
atë që për punë para zyrës tënde qëndroi,
për atë që ankohej se në lagje dritat i kishin prerë,
dhe për ndonjë që bursë për djalin kërkoi.
Mos thuaj s’të njoh, s’është argument i mirë,
asnjëherë s’është mirë asgjë të harrosh,
sikur me të, vetëm një gotë e ke pirë,
e ke ndihmuar… dhe më fortë do e ndihmosh.