Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Si diell, dashuria lind dhe perëndon

Pajtim Xhelo-Si diell, dashuria lind dhe perëndon

Si diell, dashuria lind dhe perëndon

Edhe pse mesnata vesonte nën re,
në faqe ndjeva të pikonte një lot,
një psherëtimë na drithëroi ne,
fjalën lamtumirë nuk e thamë dot.


Një çast në vetminë tënde u pështolle,
truar u largove në një tjetër skaj,
veç pikëllimin e thellë ma përcolle,
heshtur, si fëmijë e zënë në faj.


Aq shumë u deshëm, sa ndoshta zilia,
rrugëtimit tonë na dilte në prita,
një ditë, të verbuar nga pabesia,
na erdhën njehësuar nata dhe dita.


Dhe hyri mes nesh ashtu, pa u kuptuar,
një dimër i egër, ngricë dhe acar,
dikush përbalti burimin e kulluar,
dhe zgjoi nga gjumi djallin hileqar.


U deshëm shumë, e shtrenjta mikja ime,,
mos thell’ u zhytëm në detin dashuri?
U lodhëm, përhumbëm në përfytyrime,
harruam bregun, s’u kthyem përsëri.


S’e dinim që dashuria, si një diell,
lind në agim dhe në mbrëmje perëndon,
nëse ngjitet natën me yjet në qiell,
në të tjera zemra troket dhe kërkon

.
Eh, dashuri, flakë që përhap një zjarr,
kur digjet ai zjarr, ka mbetur veç hi,
kur vdes një dashuri, mos kërkoni varr,
do ta gjeni në të tjera dashuri.


Sonte, si mjegull, nuk di pse mu kujtua,
mbrëmja kur u ndamë pa thënë asgjë,
një brengë që zgjati për ty dhe për mua,
por koha shtegtoi, gjurmë nuk la më.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT