Thursday, March 28, 2024
BallinaVitrina e libritSylejman Salihu-BISEDË ME GJYSHIN TIM

Sylejman Salihu-BISEDË ME GJYSHIN TIM

BISEDË ME GJYSHIN TIM

Seç kam një mall për gjyshin tim,
Për gjyshin tim që s’ e pashë kurrë,
Thonë se jetë e tij ish një shtegtim,
Sa në fusha të blerta, sa në mal me gurë.

Një pelerinë mbi supe thonë e mbante,
Dhe nën pelerinë një pushkë të gjatë,
Se për tjetër punë kokën s’ e çante,
Veç nderin ta ruante ditë e natë.

Po si nuk e pashë unë asnjëherë,
T’ ia përkëdhelja vet mjekrrën e bardhë,
Nipçe të më thoshte shkurt dhe prerë,
Fisin ta nderosh me punë të mbarë!

Mbase do t’ më thoshte,më dëgjo mua!
Mbaje kokën lart dhe mos ec zvarrë,
Sepse në jetë shumëherë do të zësh në thua,
Por ti ngritu prapë me këmbë n’ ugar.

Se është trualli yt dhe tjetër s’ ke,
Ndaj dhe mbahu fort me këmbë mbi tokë,
Mund të ketë përmbytje dhe rrëke,
Por ti ruaje mirë këtë fjalë në kokë.

E po ç’ do t’ i thoja gjyshit tim,
Kur do t’ i përulesha i bindur shumë,
Mikut ia shtroj sofrën si një trim,
E armikut do t’i japë unë plum’.

Mbase nuk e di a do t’ ia dilja,
Ah mor gjyshi im që kurrë s’ të pashë,
Por fjalët e tua n’ kokë do t’ i mbillja,
Gropave të jetës sa herë rashë.

Eh, gjyshi im me pelerinë,
Si s’ e pimë bashkë kurrë të paktën një gotë,
Nipërit tu sot e kanë lënë shtëpinë,
Dhe janë arratisur nëpër botë.

Mbase më qorton ti shkurt e prerë,
-Ç’ janë këto fjalë që dëgjoj sot,
Më mbushe or nipçe helm dhe vrerë,
Fjalët e mia paskan qenë krejt kot!?

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT