Saturday, October 26, 2024
BallinaVitrina e libritMbi librin me tregime e përralla " Breshka me Samar", të Rifat...

Mbi librin me tregime e përralla ” Breshka me Samar”, të Rifat Ismailit

Teksa lexoja përrallat e përfshira brenda librit për fëmijë me titull ” Breshka me samar”, të cilat janē shprehur kaq sintetikisht, por me mesazhe të shumta e të forta edukative dhe njerëzore gjithashtu, më ngacmoi ideja të hedh dy rrjeshta përshtypjeje pikërisht për forcën që pena e shkrimtarit Rifat Ismaili ka.Fuqi kjo që buron nga shpirti i tij sa filozofik aq edhe modest. Ai shpesh herë na befason për gjetjet aq origjinale që të mbushin shpirtërisht e të bëjnë të besosh që jeta është një ylber, thuajse një përrallë. Përralla si një instrument edukimi, në qëllim të saj ka të përcjellë mesazhe, vlera, të stimulojë fantazinë, të fokusojë në ngjarje e të nxisë përqëndrimin. Kam lexuar që një fëmijë i rritur me përralla të rrëfyera, ka një botë shpirtërore dhe emocionale shumë herë më të zhvilluar se një fëmijë, të cilit i lihet një IPad ose smartphone në dorë për të shikuar një përrallë të animuar. Mos harroni!! Imazhi kufizon imagjinatën. Ndoshta kjo mrekulli që karakterizon penën kaq ledhatare e impresionante të shkrimtarit Rifat Ismaili, rrjedhon pikërisht nga një fëmijëri ku teknologjia nuk ishte fjala e fundit. Ai si përfaqësues i një gjenerate që priste në rradhë për të huazuar libra në bibliotekën e shkollës apo të qytetit, e që shkëmbenin librat me njëri tjetrin duke diskutuar më pas në grup mbi impresionet e librit, si pa kuptuar ka kultivuar brenda vetes një arsenal shprehish, një fantazi të pasur, një dashuri për ta bashkëndarë talentin e tij që herët. I rritur në një periudhë kur fëmijët i’u kërkonin prindërve përralla të personalizuara si psh: “Mami, më trego një përrallë kur isha në barkun tënd “, ose, “Babi më trego një përrallë kur ke qenë ti i vogël”, et, etj, si këto. Në këto rrethana duket se ka zënë fill edhe fantasia e shkrimtarit tonë, I cili përveç se të intrigon e të mbërthen në të veten imagjinatë, të përcjellë mesazhe kaq të shëndetshme psikologjikisht. Pikërisht ky ndërgjegjësim, është një komfort emocional shumë i vyer. Një tjetër karakteristikë e tij është të bëjmë një autoreflektim që duhet të kërkojmë të mirën edhe atje ku ti nuk e pret, ta kërkojmë edhe tek ajo që në dukje shfaqet si “egërsira” “shtriga” apo “përbindëshi”. Me shumë delikatesë, ai na kujton që te secili prej nesh figurojnë e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, por për aq kohë sa njeriu përdor logjikën, dritën e mendimit pozitiv do të triumfojë e mira, por ndodh që edhe pse vepron kështu njeriu zhgënjehet dhe kjo e bën atë të nxjerrë në pah për vetëmbrojtje anën e errët, anën negative që e bën të duket si jo njerëzor.

Nisur nga kjo llogjikë dhe për të nxjerrë frikërat jashtë si dhe për ti dhënë jetës fëminore të tjera nuanca Rifati pasqyron një botë të bukur edhe brenda një bishe, brenda një arroganti, duke na treguar që ajo është një fasadë mbrojtëse nga “realiteti i egër njerëzor” si rasti i “ gjarpërueshe Eleonora”, tek përralla me titull ” Foleza e gjarprit”, e cila mbi tokë shfaqej gjarpër e nën tokë njeri, por që brenda vetes ruante një zemër të florinjtë që e tjetërsoi djaloshin e keq Çarlin ,duke e bërë të hiqte dorë nga mania e tij për “ ti burgosur kafshët”, duke na treguar që jo gjithmonë pamja e jashtme justifikon tē brendshmen tënde. Një tjetër mesazh që na përcjell me këtë përrallë shkrimtari është: Miqësia është një dhuratë e paçmuar, falë saj ti bëhesh një njeri më i mirë siç ndodhi me Çarlin, personazhin kryesor të përrallës “Foleza e gjarprit”. Ai gjithashtu na percjell mesazhin që liria është çelesi i gëzimit, siç ndodhi me kafshët e vogla, të cilat pasi u çliruan nga makthi i burgosjes, u endën në lëndinat e tyre të shenjta. Vjen kjo përrallë, por edhe rrëfenjat e tjera, si disa të vërteta të përrallta të cilat përmbushin gjithë misionin e tyre edukativ duke mbajtur pranë interesit të tyre jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit që duan të ndihen si në përrallë. Shfletoj librin dhe dilema ime është ta trajtoj si e rritur përshtypjen time apo të kthehem pas në kohë e ta shoh me sytë e një fëmijë? Një zë i brendshëm më thotë: Lëshoje veten e lundro në fantazi, sepse kjo dhuratë magjike, duket se vjen si privilegj tek ti dhe nëse të ndodh të të drejtojë, apo të përhumbë, ti duhet të konsiderohesh me fat. Them me fat sepse të lejon të hysh në labirinthe mendimesh, ndjesish reale apo surreale duke të të bërë të ndihesh si kurrë nuk ke mundur më parë. Mundesh të bësh mrekulli e ta shohësh botën me sytë e paqtë të fëmijëve, me ngjyra, dritë, vezullime, pa intriga, pa inate, pa kufinj. Do të ndihesh fëmijë, shpend, kafsha jote e preferuar.

Mundesh të flesh mbi re, të shkruash me rrezen e diellit, të lëkundesh mbi kurrizin e balenave, të përshkosh detin me këmbë, të shijosh mjaltin direkt nga kosherja e bletëve,  pa frikën se ato të sulmojnë, të notosh me peshqit në thellësi të oqeanit, të dashurohesh me nimfat e sirenat e detit, të jetosh në një kështjellë, të  triumfosh në betejat  me bishat, të ndihmosh të varfërit, të ndërtosh streha për fëmijët e rrugës dhe jetimët, të kapërcesh ylberin, të takosh figurat mitologjike e të kthehesh sërish aty ku ti dëshiron. Kjo është fuqia e fantazisë dhe e mjeshtërisë artistike të një pene që të përhumb e të mban të ngërthyer pranë vetes. Kush më mirë se një shkrimtar i ka përjetuar të gjitha këto ndjesi, kush më mirë se sa një shkrimtar di të shfrytëzojë inteligjencën dhe forcën e fantazisë për ti dhënë penës së tij fuqinë e mendimit dhe bukurinë e të shprehurit? Përralla ka lindur falë fantazisë për të shijuar të pamundurat, për t’u fuqizuar e për të përcjellë mesazhe reale. Pra bota imagjinative, është në funksion të botës reale, duke e zbukuruar atë, duke e frymëzuar, duke i dhënë më shumë mirësi, dashuri, moral, vlerë, e pse jo t’i lejosh vetes të jetosh si në përrallë. A s’ është bukur të ndihesh “Princ”, apo “Princeshë”, në jetën tënde? Pra, fantasia, është çelësi yt i prehjes, i lumturisë, i mrekullive, është tuneli yt i ndritshëm, ku ti pushon për të karikuar veten me energjinë dhe dritën e nevojshme që do të ndriçojë jetën tënde, edhe në momentet kur ti e mendon tunelin e mendimeve të tua, si të errët, e pa rrugëdalje. A s’ do të ishte bukur të arratisesh hera- herës në portat sekrete të fantazisë, siç bëri Miushi ynë Rudolf dhe Deona e vogël, tek përralla ” Shëtitje e pazakontë?” Ata edhe pse të pamundur për t’u lejuar nga familja për te bërë si ata dëshironin, zgjodhën me sytë e imagjinatës të përshkonin qytetin e të shijonin gjithë bukuritë e tij, atraksionet që ai ofronte, pa u limituar nga mundësitë, sepse fantazia ta favorizon atë. Përshkrimi I tij është kaq real, sa hera- herës i kthehesha leximit pas për të kuptuar mos më humbi ndonjë fjali ku thoshte psh: “Më pas realisht ata morën taksinë e vajtën në qytet”, por jo. Penës së kujdesshme të artistit, mjeshtërit të fjalës, Rifat Ismaili, nuk i kishte rrëshqitur asgje, përveç fantazisë që të kishte futur në “kurthin” e saj për ta besuar që ti je duke lexuar me  “sikur”, pra po lexoje përjetimin virtual, emocional e përshkrues të shëtitjes së pazakontë. Gjatë leximit të kësaj përralle frymëzuese, do të ndjeni fuqinë e fantazisë, të vënë në funksion kaq mjeshtërisht nga një penë kaq potente, sa edhe vetë fantasia. Teksa e përshkruaj fantazinë si fenomen, ngacmuar nga Miushi Rudolf dhe vogëlushja Deona më lindën një seri pyetjesh: Fantazia lind apo zhvillohet? Fakti që fëmijëve i’u lexohet shumë përralla dhe iu flitet që në shtatëzani, përbëjnë këto një faktor stimulues? Fantazia është e re apo e lashtë si fenomen? Varet nga mosha për ta manifestuar dhe praktikuar fantazinë? A, influencohet fantazia nga dëshirat personale? Sa shumë pyetje më ngacmoi kjo përrallë!  Ishin këto pyetje që më risollën në realitet, falë zërit të brendshëm që më ftoi në fantazi shijova dhe unë bashkë me personazhet e përrallës gëzimin e tyre, detajet argëtuese, trenat, taksitë, njerëzit që mbushnin qytetin imagjinativ, zhurmat e tyre, por ja, së bashku me ta u riktheva në realitetin tim, për tu thënë edhe një fakt shumë interesant shkencor që fantazia ka një rol shumë të madh edhe në aspektin shëndetësor, përsa i përket zhvillimit konjiktiv dhe emocional të fëmijëve, madje një kostatim më profesional  për mekanizmin psikologjik dhe rolin që luan fantazia e bashkë me të përrallat tek fëmija na vjen  nga  Sigmund Frojd, themeluesi i psikoanalizës.  Sipas tij: Fantazia është mënyra për të shprehur nevojat e paplotësuara. Njeriu priret drejt kënaqësive, por realiteti e ndalon, e detyron të heqë dorë prej saj, ndërsa fantazia i lë dorë të lirë, të plotësohet e të kapërcejë kufinjtë e së pamundurës.  Por, a do të ishte mirë që njeriu vetëm të fantazonte? Disa mund të përgjigjen: “Jo”!, në mënyrë shumë kategorike e për mijëra arsye, ndërsa unë do të përgjigjesha: “Pse jo?” Jo për të qenë antikonformiste, por sepse fantazinë nuk e shoh thjesht si ëndërrim, por edhe si projektim të së ardhmes, i gjërave të tua konkrete, si psh: si do të doje të ishte jeta jote, shoku yt, shtëpia jote. 

Pra, të bën të përcaktosh disa modele ideale që në realitet ti kërkosh si të tilla, ose si do të ishte qyteti në të vërtetë sipas asaj çka lexonin miqtë tanë të vegjël. Përmes udhëtimit të tyre imagjinativ, ata na mësuan që kjo “arrati” është një domosdoshmëri, është një kreativitet, është një dhunti që vetëm një penë si ajo e shkrimtarit që ju keni në duar di të ngacmojë, të  kontrollojë, e të dialogojë, me të brendshmen e cila nuk udhëhiqet vetëm nga imagjinata.

Ai di ti japë hapësirë dhe zgjidhje problematikave dhe ngërçeve të pamundura në dukje, duke e vënë përfundimin në shërbim të realitetit për të konceptuar zgjidhje sa më praktike dhe novatore nga fëmijët. Ky është misioni dhe mesazhi që ju lexues të vegjël apo të rritur keni tashmë në duar, duke shfletuar librin dhe përmes tij magjinë që ju pret, sepse : ” Udhëtimi më i bukur është ai që ende nuk e keni bërë, por që nën shoqërinë e miqve tanë protagonistë do të ndiheni edhe ju “ peng” i fantazisë së Sagës së librave të tjerë  nga po i njëjti autor. Faleminderit çdo lexuesi që bashkendan me mua të njëjtin opinion për librin qe keni në duar dhe që do jetë një pasuri në bibliotekën tuaj personale. MIMOZA AGASTRA

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT