EPISOD
S’po shkruaj si të tjerët, çdo ditë,
Se edhe ti, më lexon shumë rrallë,
Dhe më thua;- se disa nga poezitë
Kanë më pak ndjenjë, se sa mall.
E pastaj, e le librin diku mënjanë,
Është një zakon, që e bën ashtu kot,
Por dëshira mua prapë më mban,
Si të dehurin, që nuk e le pijen dot.
Që s’po e le, shkak duhet të ketë,
Por nuk është ves, apo ndonjë trill,
Ndoshta, ti ke të drejtë kur më flet,
Dhe mendimin tënd, nuk e shpërfill.
Të lënë mënjanë librin, kur e shoh,
Në trotuare i përbuzur, ndihem keq,
Por ti sonte je plot hir, sikur s’të njoh,
Mendimi për flirt, më vjen si për dreq.
Strukesh pa faj, si në libër shkronjat,
Më provokon e zbuluar për t’u zbavitur,
Ashtu e freskët e me trille porsi zonjat,
Më bënë për vete, me sy të venitur.