Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Të dyshuarit për këto ngjarje të trishta që po përfundojnë edhe tragjikisht, në shumicën e rasteve janë djemtë dhe burrat, ndërsa viktima vajzat dhe gratë. Ato përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Një ngjarje e tillë dhe mjaft e rëndë ka ndodhur në një familje në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson se një 27-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale nga bashkëshortes së tij, pas një debati verbal që plasi mes tyre, ku ishte e përfshirë edhe nëna e të dyshuarit.
Sipas informacioneve të para, fillimisht mosmarrëveshja nisi mes viktimës dhe vjehrrës së saj, pasi kjo e fundit kërkonte medikamente për nipin, por që nusja refuzoi t’ia blinte pasi djali i saj ka një sëmundje dhe për të trajtohet te mjeku.
Refuzimi i saj dhe kundërshtimi ndaj vjehrrës, e mllefosi bashkëshortin e viktimës, i cili në shenjë revolte nisi të ushtrojë dhunë fizike e psikike ndaj gruas, derisa e gjakosi.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, ndërsa gruaja bashkë me fëmijën është kthyer te familja e saj.