Lëkura e muskujve m’është tendosur,
holluar e lëmuar,
si çati e brymtë mbi mure të agimta,
bie mëngjesi,
mirë se erdhe o diell i mbiqepallave të mia,
rrugët me fjalë të thyera
rrinë shtruar,
kaloj e përshëndes njerëz,
ca më kthejnë përgjigje,
ca tjerë sikur s’më kanë parë ndonjëherë,
nxehem në ecje,
avujt e frymarrjes,
më ngjajnë me aromën e vendlindjes,
më rrëshqet akulli zënë kore mes brinjësh,
e vetes prap i rrëfehem,
kështu bëjmë ne,
me mendje të ndërlikuar,
mbledhim tezga me gjeste,
fjalë,veprime,
valixhet me kujtime,
se di dje ç’kemi ndjerë,
me kë jemi dukur afruar,
kë kemi dashur e dashuruar,
erdhëm si kalimtarë,
të drojtur,
të përsosur,
a patëm ndërmend dikë,
biseda bie ndonjëherë në tavolinë,
ta zëmë se ekziston,
por nuk është më,
gjysma e këngës,
elementi muzikë vjetërohet
e nuk shpreh asgjë,
të ngjashmit e pasvdekjes,
mospërfillës,
ndërruar,
harruar,
përsosmërisë i humbet forma,
tani më merr malli të shoh më shpesh,
fytyrën e nënës sime,
t’i kërkoj vetes,zemrën në zemër,
tek sytë e fëmijëve,
pareshtur për to të përpiqem,
pa brenga,pa pendime,
t’i ngrej kryet mirësisë,
akoma e akoma,
entuziazmin e çdo gruaje,
ta zgjoj në jehona.