LETËR ATDHEUT
Ne jemi si ka dashur zoti, zoti na do si krypën
Rrokemi shtatas me moshën, shajmë, pimë shafran
Katet në tra janë tonat, bodrumet, peronet tonat
Veç lëkurën plakë ia kruajmë natë e ditë Evropës
Ajo gjumë në sy s’ka për ne shqiptarët, e uruara
Po ju atje si ju ka, klyshemira ajo, Londërmadhja
A ju rriten hijet, a i bie fyellit malli për ne
Gratë e grunajat a kane zënë, a kanë gjak thanat
Shpendët e malit si janë, po nëna, po Kosova
Pak mall ne na paçin veç motrat, veç gjinkallat
Krojet etje ne na paçin, ja çarku, ja kalliri
Dhembi në ju rëntë, mozot, macja në ju preftë udhën
Varri në varr ne na dhashtë a ëndrra në ëndërr
M’i thuani Kosovës po lidhim mbathcat, po vimë