Gjithmonë për Ty ka qiell të kaltër
Më bëre të kërkoj leje të hyj në zemër,
kur ne putheshim çdo natë e çdo ditë,
më dhuroje vetëm lule të vyshkura,
ëndrrat e mija kishin qiell, po jo dritë.
Më kërkove leje të hyje në zemër…
“Hyr!” – të thashë. Zemra ime nuk ka derë.
Zemra ime ka emër të përbashkët
dhe për Ty vetëm një stinë: Pranverë.
Ti afrohesh… dhe nuk kërkon më leje,
të qeshin sytë qiellor, dhe shpirti të qesh,
gjithmonë për Ty ka qiell të kaltër
ku fluturon pa leje, si laureshë.
TË KAM KËRKUAR…
Të kam kërkuar në hijen e pemës,
për të ndjerë ngrohtësinë e diellit.
Të kam kërkuar në magjinë e zemrës,
për të puthur sytë e një ëndrre…
Të kam kërkuar në dritën e syrit
për të gjetur vështrimin tënd të bukur…
Vështrimin… që nuk dua ta humb,
ta mbaj pranë e ta puth në gjumë…
O DASHURI!..
Erdhi përsëri në pyll. (Nuk e harronte!)
E shoqëronte rrezja si mike e mirë.
I qeshte rrezes, i thoshte: – Të dashuroj!
Ajo, si vajzë e drojtur ikte në hapësirë.
Ëndrrat i shëtisnin si ketra në degë,
ca boçe pishe e ftonin drejt lartësive,
i ngjante sikur pylli heshtëte, nuk lëvizte,
ishte e dashuruar mes dashurive!
Zogu-rreze kthehet si qiell i bukur
i fal syve të saj: butësi e përkëdheli,
zemra e vajzës fëshfërinte e lumtur,
fëshfërinte : – O Dashuri! O Dashuri!