BISEDË ME GJYSHIN TIM
Se ç’ kam një mall për gjyshin tim,
Për gjyshin tim që s’ e pashë kurrë,
Thonë jetë e tij ishte shtegtim,
Sa në fusha të blerta, sa në mal me gurë.
Një pelerinë mbi supe mbante,
Dhe nën të kishte një pushkë të gjatë,
Për tjetër punë kokën s’ e çante,
Veç nderin ta ruante ditë e natë
.
Si nuk e pashë unë asnjëherë,
Që t’ ia përkëdhelja mjekrrën e bardhë,
Nipçe t’ më thoshte shkurt edhe prerë,
Fisi nderohet me punë të mbarë
!
Kur do t’ më thoshte, më dëgjo mua,
Mbaj kokën lart dhe mos ec zvarrë,
Në jetë shumëherë do të zësh në thua,
Por ngritu prapë me këmbë n’ ugar.
Është trualli yt dhe tjetër s’ ke,
Ndaj mbaju fort me këmbë mbi tokë,
Mund të ketë përmbytje, që shkojnë rrëke,
Porse ti ruaje këtë fjalë mirë n’ kokë.
E ç’ do t’ i thoja unë gjyshit tim,
Kur t’ i përulesha i bindur shumë,
Do t’ ia shtroj sofrën mikut si trim,
Kurse armikut do t’i japë plum’.
Mbase s’ e di a do t’ ia dilja,
Me gjyshin tim që kurrë s’ e pashë,
Fjalët e tij në kokë t’ i mbillja,
Gropave t’ jetës sa herë unë rashë.
Eh, gjyshi im me pelerinë,
Si s’ e pimë bashkë të paktën një gotë,
Sa nipër e mbesa kanë lënë shtëpinë,
Dhe arratisur janë nëpër botë.
Ti do t’ ma ktheje shkurt edhe prerë,
-Ç’ janë këtë fjalë që dëgjoj sot,
Më mbushe nip helm edhe vrerë,
Fjalët e mia paskan qenë kot!
Ti
Ti kujton se ikur ke ngaherë,
Arratisur diku larg n‘ fshehtësirë,
Por nga unë s‘ ke ikur asnjëherë,
Sa vjen në muzg , sa vjen në të gdhirë
.
Dhe kështu gjithnjë ti përsëritesh,
N‘ intervale në muzg dhe n‘ agim,
Herë e freskët si lule m’ fanitesh,
Herë e vyshkur porsi floku im.
Se dhe vitet shkuan me nxitim,
Sa shumë bubullima ranë mbi ne,
Dhe secili paguam nga një çmim,
Porse jetës s’ mund ti vinim fre.
Por ç‘ t‘ i bësh mbase dhe një ditë,
Papandehur do vish dhe njëherë,
Jam kusar, rri gjithnjë në pritë,
Në qe dimër, apo në qe verë.
UNË
Unë nuk u besoj djajve që rrëkëllejnë përmbys çdo gjë,
Dhe sizifisht punojnë ag e terr të më ndajnë nga,
Dashuria,
Bukuria,
Hirësia,
Shenjteria jote.
Unë u besoj engjujve që pranë më rrinë me krahë fluturues,
Në çdo shtegtim,
Në çdo agim,
Në çdo tundim,
Që të vij te ti.
Unë i besoj edhe Unit tim që niset me Yllin e Mëngjesit,
Dhe mëngjese me diell kërkoj për ty,
Të të takoj në këtë planet,
Të të takoj në këtë gjithësi!
