BallinaKalendari EnciklopedikIMAMI KARIZMATIK NË MALËSINË E SHARRIT, RAMADAN HAMZA(1880 - 1973)

IMAMI KARIZMATIK NË MALËSINË E SHARRIT, RAMADAN HAMZA(1880 – 1973)

Imami Ramadan Hamza i njohur si Hoxha i Madh, mësimet e para i mori në mekteb. Në Medresenë e Shkodrës vazhdoi mësimet, ku më vonë edhe në Korçë kishte vazhduar duke ndjekur kurse.
Imami Ramadan Hamza, qysh i ri, ishte dalluar me talentin, idealet dhe vizionin e tij pragmatik. Në rini, kur një qatip kishte ardhur në vitet e fundit të shembjes së Perandorisë Osmane për të rekrutuar djem në ushtrinë osmane, ky malësor me shpirt revolucionar kishte apeluar tek katundarët që mos t’i lejojnë djemtë e tyre të shkojnë në stepat e Anadollit për t’u bërë mish për top.
Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, të tri fetë, e krishterë, islame dhe hebraike, ishin të njohura zyrtarisht. Klerikët dhe liderët shpirtërorë të feve, sipas kushtetutës, kishin status të barabartë në institucionet shtetërore. Të gjithë klerikët merrnin rroga nga qeveria dhe kishin reputacion, pa marrë parasysh se cilës fe i takonin.
Ramadan Hamza, me nofkën Hoxha i Madh, kishte reputacion në popull. Kishte një bagazh të pasur intelektual. Përveç lëmisë teologjike, ai njihte filozofinë dhe mistikën. Fliste rrjedhshëm serbokroatishten, arabishten, turqishten dhe bullgarishten. Nga qeveria kishte imunitet. Ishte zgjedhur deputet në Bashkësinë Islame të Mbretërisë Jugosllave në Sarajevë.
Në një konferencë islamike në Sarajevë, imami së bashku me Haziz Çaushin, një figurë dhe erudit me gradën çaush, kishin marrë pjesë në këtë konferencë islamike.
Njërit delegat i kishin humbur paratë. Të shqetësuar dhe të brengosur kishin qenë të gjithë. Haziz Çaushi, me mençurinë e tij, kishte propozuar që të gjithë të mblidhnin nga një monedhë. Në fund ky ngërç ishte zgjidhur dhe ishte përshëndetur nga delegatët. Imami kishte shërbyer në katund si ofiqar. Po ashtu, shpesh ia kishte dhënë vërejtjen xhandarit serb Kukeci që të mos i torturonte dhe rrihte fshatarët e pafajshëm.
Kur Krajli Aleksandër kishte ardhur më 1928 në Tetovë për inaugurimin e hidrocentralit, në takim me krajlin, imami kishte sugjeruar se duhet që kjo hidrocentralë të shërbejë edhe për katundet tona.
Imami në ligjëratat e tij kishte një oratori dhe sens të shkëlqyer. Sipas të dhënave, në periudhën komuniste imamët i akuzonin dhe etiketonin si vasalë dhe shërbëtorë të regjimit të krajlit.
Imamët në këtë periudhë kanë luajtur rol dhe kanë ngritur zërin kundër shtypjes dhe sundimit tiranik e despotik të regjimit të Krajlit Aleksandër dhe kryeministrit Nikola Pashiq.
Imami i katundit Veshallë, Hoxha i Madh, në periudhën e Jugosllavisë së Titos është akuzuar shpesh nga disa syresh, më së shumti vasalë me libreza të kuqe komuniste, kinse Hoxha i Madh ka qenë mercenar dhe vasal i krajlit. Kjo narrativë ka qenë një diskurs dhe retorikë e regjimit titist.
Imami Hoxha i Madh kishte vizion transparent. Shpesh ky imam karizmatik kishte shërbyer në konflikte dhe mosmarrëveshje, ku më në fund në mënyrë paqësore kishte zgjidhur konfliktet në mënyrë transparente për palët në konflikt.
Një ndër ngjarjet e rëndësishme, sipas të dhënave okulare, ka qenë kur forcat ushtarake serbe kishin tentuar ta sulmonin dhe të hynin me ushtarë në katund dhe të fillonin me represalje dhe krime.
Thuhet se imami kishte qenë ndërmjetësues, duke i ulur armët dhe duke gjetur një konsensus. Në fund ushtria serbe kishte ulur armët. Shpesh në katundet e Malësisë dhe në katundin Veshallë ka pasur rebelime, kurse forcat ushtarake kishin bërë gjenocid dhe vrasje të banorëve të pafajshëm.
Po ashtu, xhandari serb Kukeci ushtronte dhunë dhe represalje duke i rrahur burrat e pafajshëm. Pas torturave të rënda, imami kishte dëgjuar se ishte përgatitur nga disa burra një plan për ta vrarë xhandarin serb. Kur kishte dëgjuar këtë, në fund kishte sugjeruar dhe lutur që të mos e vrisnin.
Imami kishte thënë se po të vritej xhandari, ushtria serbe do të hakmerrej, do të bënte masakra dhe do ta digjte katundin. Ky imam ishte një lider karizmatik, me vizion dhe mençuri. Imami Ramadan Fazlija të gjithë karrierën e kaloi në katundin e tij të lindjes, në Veshallë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT