E mjera shqipe, ç’i punojnë e s’ka gjuhë të ankohet!”
«Armiqtë që kanë rrethuar Shqipërinë janë shumë dhe secili prej tyre përpiqet të rrëmbejë nga një copë për vete.»
Kam parë, njohur e vërejtur qenie në trajtë njeriu që flasin shqip. Më pas i kam parë të ngjiten në detyrë para syve tanë disa analfabetë, të cilët germën «ç» e shkruajnë «q» dhe «dh»-në e shkruajnë «ll». Por këta tipa nuk bëjnë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa na kthejnë në dëshmitarë të turpërimit të tyre.
Më të rrezikshmit janë ata që nuk i ngatërrojnë shkronjat, por me laps e letër ndryshojnë fatet e shqiptarëve; zhveshin pronarin nga prona për t’ia dhënë për pesë lekë atyre që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë.
Të rrezikshëm janë ata që e njohin aq mirë gjuhën shqipe dhe lashtësinë e saj, por me letër e laps e shkruajnë mbrapsht historinë.
Çfarë do të kishin thënë sot Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda dhe Parashqevi Qiriazi, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit, për përdorimin e alfabetit të përbashkët me bazë latine?
Ata që dikur u munduan të na bashkonin përmes shkronjave, a do ta kishin menduar ndonjëherë se një ditë, me të njëjtat shkronja, do të shkruheshin padrejtësi kundër shqiptarëve?
Çfarë t’u themi ne sot? Kush janë armiqtë e Shqipërisë? Analfabetët apo njohësit e alfabetit?
Jo me barut e me armë, por me letër e penë po përpiqen ta varrosin Shqipërinë, o i nderuar Mit’hat Frashëri!
Kushedi si përpëliten eshtrat e anëtarëve të Kongresit kur me gjuhën shqipe «vriten shqiptarë».
Por, siç thuhet:
«Shqiptarët janë të zotë që edhe të bashkohen, edhe të punojnë së bashku.»
Apo jo?
E megjithatë, a po e dëshmojmë këtë zotësi, apo po e përdorim gjuhën që na bashkoi për t’ia bërë më të lehtë njëri-tjetrit përçarjen, padrejtësinë dhe humbjen?
Mos më lini me rrejt…!
