Thursday, December 25, 2025
BallinaVitrina e libritDritëro Agolli-KUJDES ME FJALËN !.

Dritëro Agolli-KUJDES ME FJALËN !.

KUJDES ME FJALËN !...

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë

Kujdes me fjalën dhe ti zotëri

Pushteti i fjalës është i veçantë

Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,

Pikojnë çezma me helm të zi

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë

Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë,

Strategë e mbretër me mbretëri

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë

Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë

Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë

Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë

Dhe brenda syve se ç’është e di…

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë

Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT