Tuesday, December 23, 2025
BallinaKalendari Enciklopedik"Ndeshja e shekullit"

“Ndeshja e shekullit”

Askush nuk mund ta thotë me siguri absolute, se sa e vjetër është origjina e lojës së shahut, por hipoteza më e mundshme është se ka lindur në Indi.

Pse në fundin e një loje shahu, në të cilën mbreti kundërshtar pëson një sulm vdekjeprurës, thuhet: “Shah mat”? Termi vjen ndoshta nga persishtja që do të thotë fjalë për fjalë se: “Mbreti ka vdekur”. Origjina e kësaj loje mbetet shumë e errët. Megjithatë, shekullin e kaluar, shahu u pasurua me një tjetër aspekt: atë politik. Mjafton të përmendet ajo që është quajtur: “ndeshja e shekullit”. Takimi ndodhi në vitin 1972, mes kampionit të botës, sovjetikut Boris Spaskij, dhe sfidantit amerikan Robert James Fischer, i njohur ndryshe si “Bobby”. Ishte Lufta e Ftohtë, dhe të dyja superfuqitë përpiqeshin të kalonin njëra-tjetrën në gjithçka. Kështu që ndeshja Fisher-Spaskij u bë një betejë metaforike në Luftën e Ftohtë. Asokohe shahu ishte krenaria e regjimit sovjetik. Që në vitin 1914, Cari Nikolla II kishte krijuar titullin e “Mjeshtrit të Madh”. Në Bashkimin Sovjetik, shahu u bë një lloj sporti kombëtar, me qendra dhe shkolla që financoheshin nga shteti. Duhej siguruar epërsia që po zgjaste prej gati gjysmë shekulli. Kundër rusëve erdhi sfida e një amerikani gjenial.

Një njeri pa traditë, edukim shkollor apo ndonjë trajner me nivel prapa. Kush do ta fitonte ndeshjen në Reikjavik të Islandës? Edhe vendi i zgjedhur gjendej simbolikisht në gjysmën e rrugës ndërmjet dy botëve të kundërta. Fischer ishte një enigmë: psikologjikisht i paqëndrueshëm, dhe luante një lojë të paparashikueshme. Deri në minutat e fundit nuk ishte i sigurt nëse do të luante: për ta bindur, u desh ndërhyrja e vetë Sekretarit amerikan të shtetit, Henry Kissinger. Nga ana tjetër e tavolinës, presioni mbi Spaskij ishte i frikshëm. Fitoi amerikani, dhe rusët e humbën kryesimin pas 35 vjetësh. Loja zgjati gati 2 muaj.( 11 korrik – 2 shtator 1972). Në vitin 1975 Fisher refuzoi të takohej me sfidantin sovjetik, Anatoli Karpov, për këtë arsye FIDE (Federata Ndërkombëtare e Shahut) e skualifikoi nga gara dhe shpalli kampion Karpovin. Më pas, për 20 vjet Fisher u tërhoq nga garat zyrtare, duke u rikthyer vetëm për të mposhtur përsëri Spassky në një lojë të organizuar privatisht në vitin 1992 në Sveti Stefan, Mal të Zi, Jugosllavi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT