Friday, December 26, 2025
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Nu, shto skazat moj starëj drug !

Pajtim Xhelo-Nu, shto skazat moj starëj drug !

Nu, shto skazat moj starëj drug !
Nuk di ç’të të them miku im, Sergej,
E panjohur qe për mua Rusia,
Vollgën, Donin dhe Dnjeprin i pëlqej,
Veç rrënjët kam thellë te Arbëria.


Ty stepat pa fund të bënë poet
Dhe shpirti rus të dha përjetësi,
Unë Vlorës u rrita, në bregdet,
I tretur me valët në dashuri.


Sa shumë lexova për dimrin rus,
Për izbushkën tënde atje, në fshat,
Pranë lesës një çikrik në një pus,
Dhe nën hijen e bjerozës një shtrat.


Mbi flakë digjej shpirti i poetit,
Dhe ëndrrat ndiqnin Vollgën gjer në det,
Endeshin në pajtonet e qytetit,
Dhe në mejhanet ndiheshe si Mbret

.
Ç’të të them më tej, miku im i vjetër,
Po jetoj shpirtbohem, njëlloj si ti,
Më bëhet shpesh sikur nga koha tjetër,
Erdha për të jetuar përsëri.


Me krelat e tua luante era,
Nga sytë rridhte jeta si burim,
Gjer vonë, mesnatës, vodka dhe vera,
Rrëshqisnin gjakut, tretur në trishtim.


Eh Rusi, Rusi! Dhëmbje, brengë, vrer…
E ç’mëkat mund të bënte një poet?
Me shpirt të helmuar, si toka djerr…
Ndonjëherë madhështia të vret

.
Më thonë Esenin, si ta besoj?
Ti bir i Vollgës, unë në Mesdhe,
Edhe unë rebel, si të, njëlloj,
Veç dy gjuhë të ndryshme flasim ne.


Dhe nëse një ditë, në jetën tjetër,
Ashtu, rastësisht, ndodh të të takoj,
Do të shoh në sy si mikun e vjetër,
Pastaj përmallshëm do të përqafoj.


Lirshëm do të pyes në gjuhën tënde :
” Nu, shto, kak pazhivajesh, mnje skazhi,
Më mirë jetohet në këto vënde,
A po vjen me mua në Arbëri?


Ti do më shohësh si muzg i vonuar,
Me lotë vesuar në ata sy,
Pa do më thuash zëpakët, trishtuar :
“Fati ynë qe njëlloj për të dy”.


Kur ishim gjallë, në botën e vjetër,
Si fantazma na shihnin, me habi,
Si atje, dhe këtu, në jetën tjetër,
Të shohin vëngër po të jesh njeri.


Pash Eseninin të patjetërsuar,
I huaj qe ndjerë në madhështi,
Gjallë sa je, bota të ka harruar,
Pas vdekjes të pështjellin me lavdi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT