Asgjë…
Asgjë të keqe nuk mbaj më në shpirt
Edhe armiqtë e mundshëm I kam falur.
Kam falur dhimbjet që më dënuan liritë
Braktisjet dhe kthimet përfundimisht i kam falur.
Kam falur ata që para sysh më kanë vdekur,
Kam falur ata që vetëm për vete kanë jetuar,
Ata që me shkak pranë meje kanë mbetur,
E që kur mundej pabesisht më tradhëtuan.
Kështu …
Rash’ në një paqe të butë e të bindshme,
Ku gjithçka merr natyrshëm të drejtën e saj.
Vazhdoj të dëgjoj vetëm ndërgjegjen time
E pranova edhe veten. Në mundem ..ta fal.
