TE PRES…
Të pres si ylli i fundit
rrezen e parë të diellit përqafon.
Brenda dritës tënde unë shuhem,
dashuria jote më thith dhe pushton.
Të pres ketë natë me kaq padurim,
si lulja e zbehur pret agimin.
Të më japësh ndjenjë dhe jetë,
të largosh retë e dhimbjes.
Të pres aty ku mbyllen shtigjet,
atje ku shqota tremb shqiponjat,
atje ku zemra si qiri digjet,
o mike, varg poetik orësh të vona.
Të pres mes thëllimit të egër,
mes natës së zezë të mendimit.
Shpirtin tim të ndezësh si letër,
t’i vësh flakë mëdyshjes e pendimit.
