Tuesday, April 14, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-Nga libri në proces "Legjenda & balada shqiptare" Bilbilenjtë

Qirici Mina-Nga libri në proces “Legjenda & balada shqiptare” Bilbilenjtë

Djaloshi vraponte pas tij dhe i përgjërohej:
-Kapedan Bilbil Shako, mos më ndaj prej shokëve të zemrës!
Mos ma kurse jetën, o burrë i Labërisë!
Dua të mbyll sytë nën litarin tend!
Të marr frymën e fundit pranë jush!
Për Kurvelesh, për Labëri, për Shqipëri, nuk më dhimset jeta ime!
Shqyeu me thonj këmishën e bardhë.
Krahërori i njomë u bë flamur lirie që tundej në erë.
Kapedani ndali kalin.
Doriu ngriti me patkonjtë e hekurt tym pluhuri.
Fustanella e bardhë, dëborë mali, i tundej rreth trupit.
-Ti je trim mbi trimat, Islam Gaxha!
Gjashtëmbëdhjetë vjeç djalë, por me zemër sa e malit.
Zjarri yt është zjarr burri.
Sipas Kanunit të Labërisë vendosëm: ti do të rritesh, të hedhësh farë, të bëhesh shigjeta e lirisë sonë!
Kapedani hoqi shpatën.
Shpata kërciti si rrufe në dorën e tij.
-Mbaje! Kjo është shpata e bilbilenjve. Shpatë që s’e ul kokën para turkut!
I shpunë bilbilenjtë te rrapi i Falë, rrapi i vjetër sa koha e Gjon Buzukut.
Sheshi buçiste nga njerëzia, si det me valë pikëllimi.
Kapedani hodhi sytë mbi turmën.
-O popull i Janinës!
Mos ju trembni koshareve turke, as shtizave të Abdyl Mexhitit! Sa herë era përplaset me malet tona, po aq herë bilbilenjtë ngrihen prapë.
U dorëzuam vetë, që gjaku juaj të mos bëhej lumë nën thikën e turkut.
Gjaku ynë – mburojë për ju.
Në degët e rrapit vareshin trembëdhjetë litarë.
Trembëdhjetë gjarpërinj të zinj.
-Cila është fjala juaj e fundit?- briti valiu.
Kapedani e ngriti zërin në qiell:
-Të hedhim vallen e fundit, vallen e Labërisë!
Valle që nuk e ndal dhe e shuan dot vdekja!
Fustanella i mori flakë dhe dritë.
Era e liqenit ulërinte, sikur sillte në shpinë kokën pa trup të Ali Pashës, që kërkon hakmarrje nën yje!
Trembëdhjetë burrat labë u kapën dorë për dorë.
Trupat-male.
Fustanellat-dëborë.
Zemrat-gurë zjarri.
Toka gjëmonte nën këmbët e tyre.
Rrapi u drodh si të kishte rrënjët në gjak.
Qielli u ça nga klithma e tyre.
Kërcenin bilbilenjtë.
Kërcenin janinasit.
Kërcenin kurveleshasit, lebërit.
Kërcente gjithë Shqipëria.
Vallen e lirisë.
Vallen e legjendës.
Nga turma u shkëput Islam Gaxha, si shqiponjë që çan retë.
Vrapi i tij ishte vetëtimë.
I zgjati dorën Bilbil Shakos.
-Më lër, o kapedan, të shkel në vallen tuaj!
Le ta tres frymën time me tuajën!
-Mirë se vjen, o biri im!
Je fidani i njomë i bilbilenjve, Islam Gaxha!
Turku nuk na e shkul dot gjakun e Labërisë.
Kapedani ndezi cigaren e fundit pastaj hodhi vetë litarin në qafë.
Sytë i shndrisnin si dy yjet e fundit të mëngjesit.
As njëzet e gjashtë pranvera nuk i mbushi dot.
Pas tij, dymbëdhjetë bilbilenjtë vendosën qafat në litar.
Trembëdhjetë degët e rrapit rënkuan, si trembëdhjetë vetëtima në shtrëngatë.

Artikulli paraprak
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT