Policia e Kosovës ka konfirmuar se dje në Mitrovicë 10 nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës, pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal ‘fast-food’ në këtë qytet.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se nxënësit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar, ndërsa lokali është mbyllur nga inspektorët komunal.
Ndërkohë, për këtë rast mbrëmë ka reaguar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, sipas të cilës 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi janë ushqyer në lokalin e dyshuar.
“Gjendja higjienike-sanitare në momentin e inspektimit nuk ka qenë e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes së mishit për doner. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike. Janë vizituar përsëri pacientet për të parë gjendjen shëndetësore. Të gjithë pacientet deri më tani (30) që kanë marrë trajtim mjekësorë janë liruar për shtëpi. Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacienteve. Ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konformë të gjeturave përfundimtare raporteve të analizave laboratorike”, ka njoftuar AUV.