Udhë që zbresin, udhë që ngjiten,
Pranë kalasë me bedena,
Ec ngadalë, o udhëtar,
Ec ngadalë, se zgjon legjenda!
Ec ngadalë, se zgjon Argjiron,
Zonjën e rëndë përmbi zonja,
Gjirokastra kishte Argjiron,
Kur s’kish qielli shqiponja!
Ndal tek kapedan Çerçizi,
Që i dha gjithçka vatanit!
S’ka stuhi në Mal të Gjerë,
Po në gjoks të kapedanit!
Me vështrim nga Mashkullora,
Prapë në këmbë për mëmëdhenë,
Kapedanët kurrë nuk shtrihen,
Luftëtarët kurrë nuk flenë.
Ec ngadalë, o udhëtar,
Dhe shiko diku mbi male,
Se zbret Muzo Asqeriu
Me një trastë me ideale!
Ndal tek Bulja, Persefoni,
Që as vdekja s’i ka ndarë,
Tek dy vajzat që i varën,
Ndalu pak, dridh një cigar!
Ndalu tek Fato Berberi,
Që ende buzëqesh ëmbël!
Ishte e re, eh, sa e re,
Kur nazizmi vriste engjëj!
Ec ngadalë në Gjirokastër,
Siç ecën në qiell reja,
Se diku nëpër sokakë
Mund të shfaqet Musineja!
Ndal te porta e Çabejt,
Rri në heshtje dhe dëgjoje:
Gjuha shqipe gurgullon,
Porsi uji në “Shtatë kroje”.
Gjithë qyteti me lavdi,
Gurët, rrënjë e rrënjët gur,
Ku merr frymë nga Kadareja,
“Një kronikë” që nuk vdes kurrë.
Udhët që zbresin, udhë që ngjiten,
Pranë kalasë me bedena,
Shkel ngadalë, o udhëtar,
Shkel ngadalë, se zgjon legjenda!
